Secondary Adv

Legalizohen 480 parcela me ndertime informale


Qeveria aprovon legalizimin për 102 parcela ndërtimore në Qarkun e Tiranës, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 221,8 m². Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, u miratua edhe kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje poseduesve të sipërfaqeve maksimale të parcelave ndërtimore, në qarqet Berat, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë dhe Shkodër.

 


   Në Qarkun e Beratit u kalohet pronësia poseduesve të ndërtesave informale në 19 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 927,3 m². Ndërsa në Qarkun e Elbasanit u kaluan 50 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 953,1 m². Në Qarkun e Fierit është numri më i madh i parcelave të miratuara nga qeveria. Në këtë qark u kalua e drejta e pronësisë në favor të qytetarëve për 111 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 38 251,3 m². Kurse në Qarkun e Gjirokastrës, 20 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 6 985,7 m².
Në Qarkun e Korçës, qeveria kaloi pronësinë për 6 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 536 m², shumë afër zonës urbanistike të qytetit. Ndërsa në Qarkun e Kukësit, qeveria aprovoi kalimin e pronësisë, duke i hapur rrugë ALUIZNI-t për 25 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 277, 27 m². Në Qarkun e Lezhës, u miratuan 19 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 5 880 m². Në Qarkun e Shkodrës, qeveria miratoi 84 parcela ndërtimore, me sipërfaqe totale trualli 30 626 m². Gjithashtu, në Qarkun e Vlorës, me këtë vendim qeverie, miratohen 44 parcela ndërtimore, me sipërfaqe trualli 14 227 m².

 


Përllogaritja e cmimit për secilën zonë
Çdo i interesuar mund të bëjë vetë një përllogaritje duke u bazuar në hartën e çmimeve të vendosura për secilën zonë. Vendimi i sipërpërmendur hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare, ku dhe do të shoqërohet edhe me hartën se ku janë këto parcela, të cilat kalojnë në favorin e poseduesve të pronarëve të ndërtimeve pa leje. Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, në diskutimin e tij në aktivitetin e organizuar nga AKKP- ja, vuri në dukje se: “Ky është një proces zinxhir dhe ka nevojë për angazhimin e të gjitha institucioneve, sepse secili ka rolin e vet.
Në ndryshimet që iu bënë ligjit për legalizimin e pronave dhe ndryshimet për skemën e kompensimit të ish- pronarëve kanë sjellë disa përmirësime thelbësore, pasi ligji i vjetër u kishte dhënë mundësi ishpronarëve që të kompensoheshin, por implementimi i ligjit ishte i pamundur dhe jo operativ. Ndryshimet e bëra krijuan mundësinë që ky ligj tashmë të funksionojë. Ky ka qenë një hap në lehtësimin e situatës së pronave, pasi prej mëse dhjetë vjetësh ka patur nevojë për ndryshime të vogla ligjore. Do të vazhdojmë në drejtim të trajtimit të çështjes së ish- pronarëve dhe kemi këmbëngulur që të bëhet legalizimi fillimisht dhe kryesisht në zonat informale dhe më pas, në zonat e shpërndara”.


   Përfituesit e uljes së çmimit të legalizimit Nëse ka familje që trajtohen me ndihme ekonomike, ka ulje prej 30 për qind. Ata që bëjnë pagesën menjëherë do të kenë një ulje në masën 20 për qind. Kurse për ata që paguajnë rregullisht faturën e energjisë elektrike për një vit rresht do të kenë një ulje prej 10 për qind. Ndërsa tarifat fikse do të jenë: Për 300 metra katror me të gjitha shpenzimet që bëhen duhet të paguajnë 53000 lekë. Ata që kanë në zotërim 350 metra katror janë të detyruar të paguajnë 68000 dhe ata që kanë 400 metra katror do të paguajnë 78000 lekë. Sipas drejtorit Paulin Rajta, të gjitha këto lehtësira financiare do të mund t’iu japë zgjidhe të gjitha problemeve për mossigurim të certifikatës së pronësisë së tokës.


   Në të njëjtën kohë, shqetësim është edhe mbivendosja e parcelave dhe objekteve. Por sipas Rajta, një problem shumë i madh është edhe plani i studimit i cili është miratuar në vitin 2012. “Plani i studimi është shumë larg realitetit në të cilën ndodhen ndërtimet në vend, jo vetëm në Kamëz”- tha ai. Gjithashtu u sqarua edhe fakti që do të legalizohen vetëm ato objekte që janë ndërtuar para 15 janarit të vitit 2009.


   Sipas ligjit, ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për lidhjen e kontratave të kalimit të së drejtës së pronësisë për parcelat ndërtimore. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas vendimit të qeverisë, urdhërohen të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim, që hynë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Më të lexuarat