Secondary Adv

Bashkite shtojne borxhin, 95 milion USD ne 6 muaj

Bashkitë kanë krijuar një borxh të ri ndaj bizneseve dhe individëve, prej 96 milionë Usd, vetëm në 6 muajt e parë të vitit. Një raport i Ministrisë së Financave, vëren se detyrimet e prapambetura janë shtuar ndjeshëm gjatë pjesës së parë të vitit.


Kjo ndoshta edhe si pasojë e angazhimit të pushtetit vendor, në ndihmë të subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore. Shpesh, kryetarët e bashkive u bënë pjesë e ekzekutivit dhe partive të opozitës (në rastet kur ishin pjesë e opozitës), për të treguar modelet e tyre të suksesit dhe për të bindur votuesit të votonin për partitë që përfaqësonin. Raporti i financave tregon me shifra se borxhi arriti në 9.6 miliardë lekë deri në fund të qershorit.


RAPORTI
Nga përpunimi i të dhënave dhe përditësimi i informacionit nga çdo bashki për periudhën prill-qershor 2017, sipas raporti të financave, rezulton se, “detyrimet e prapambetura të krijuara rishtazi për njësitë vendore deri në qershor 2017, arrijnë në vlerën 9.5 miliard lekë (kryesisht investime, shpenzime për mallra dhe shërbime dhe vendime gjyqësore)”. “Në tremujorin e dytë të vitit 2017, janë krijuar detyrime që kapin vlerën 3.2 miliard lekë (kryesisht investime, shpenzime për mallra dhe shërbime).


Sipas informacionit të njësive të vetëqeverisjes vendore, një pjesë e detyrimeve të krijuara deri në qershor 2017, janë likuiduar dhe ndërkohë pritet likuidimi i plotë i tyre në periudhën në vazhdim. Peshën më të madhe të detyrimeve të reja të krijuara rishtazi e ka bashkia Tiranë me 3.7 miliard lekë.
Këto detyrime janë rezultat i procesit të ristrukturimit dhe shlyerjes të stokut të detyrimeve të prapambetura në tre vjet duke i dhënë përparësi shlyerjes së detyrimeve më të vjetra sipas metodës FIFO dhe pagesës së detyrimeve më të fundit në periudhat pasardhëse, por gjithmonë duke siguruar shlyerjen e plotë dhe qëndrimin korrent brenda 2 viteve të ardhshme.


Deri në qershor të 2017, janë likuiduar 12.2 miliard lekë detyrime (detyrime të krijuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, vitit 2016 dhe detyrimet e akumuluara në vite deri në dhjetor 2015). Në tremujorin e dytë të vitit 2017 janë likuiduar rreth 3.9 miliard lekë. Vlera e mbetur, e cila parashikohet të shlyhet në vitin në vazhdim, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave, është 9.1 miliard lekë.”


Buxheti i ri
Por duket se qeveria, për vitin 2018 do të jetë më bujare me bashkitë. Një dokument i Ministrisë së Financave, për udhëzimin e bashkive për përgatitjen e buxhetit 2018, sqaron fondet që do i shtohen pushtetit vendor. Bëhet fjalë për efektet e para të ligjit të ri “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
Bashkitë do të marrin më shumë para nga buxheti, si dhe do të marrin një pjesë të mirë të taksave që paguhen aktualisht për buxhetin qendror. Urdhri i Ministrisë së Financave, parashikohen që: “sipas përcaktimit të ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore, duke filluar nga viti 2018, njësitë vendore përfitojnë 25% të të ardhurave nga taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura si dhe 2% të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale.”
Gjithashtu, udhëzimi parashikon që “transferta e pakushtëzuar për vitin 2018 do të jetë afërsisht 5 % më e madhe se transferta e pakushtëzuar e buxhetit të vitit 2017”.


Më të lexuarat