Secondary Adv

Paketa fiskale 2015, 10 taksat qe lehtesohen


Ministri i Financave Shkelqim Cani paraqiti 10 taksat qe lehtesohen në paketën fiskale të vitit 2015. Së pari, hiqet TVSH-ja për sigurimet dhe zëvendësohet nga taksa prej 3% për primin bruto, rritet renta minerare për pushtetin vendor, ulet taksa për rafineritë vendase dhe reduktohet renta minerare, ulet taksa doganore për gomat e automjeteve nga 15-10% dhe përjashtohet nga taksa për të ardhurat personale kontributi për pensionet vullnetare.

 

Për agropërpunimin dhe biznesin në bujqësi, rimbursimi i TVSH-së shkon në masën 20% nga 6% që është, bëhet zero tarifa doganore për lëndët e para dhe mallrat masive në bujqësi, si gruri, mielli etj. Së fundi, sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe karburantit”.


Shpallet buxheti i vitit 2015. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi dje se janë dy objektivat më madhore të këtij buxheti: rritja ekonomike dhe ulja e borxhit publik. Forumi ku merrte pjesë ministri Cani u mbajt nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri. Buxheti 2015 parashikohet të ketë një rritje ekonomike prej 3%, ndërsa 2 vitet në vijim do të kenë një rritje prej 4.5%, kurse borxhi synohet të reduktohet nga 70,9% që është aktualisht në 70,6% gjatë vitit 2015. Duke dhënë detaje për buxhetin, ministri Cani vuri në dukje se të ardhurat për vitin 2015 llogariten 412 miliardë lekë, shpenzimet 470 miliardë lekë, ndërsa deficiti 60 miliardë lekë, ose 4% e PBB-së. Gjithashtu, Cani deklaroi se investimet publike llogariten të jenë sa 5% e PBB-së. “Pikë e rëndësishme e buxhetit është ulja e rrezikut financiar. Në 2015-n, nis ulja e borxhit. Për ata që nuk janë specialistë duket e lehtë, por ato që përfaqësojnë dy grafikët është shumë e vështirë”, tha Cani, duke iu treguar investitorëve të huaj kurbën në ulje të borxhit publik.


Ndërhyrja në paketën fiskale
Ministri i Financave, Cani paraqiti 10 pika të ndërhyrjes në paketën fiskale të vitit 2015. Së pari, tha ai, hiqet TVSH-ja për sigurimet dhe zëvendësohet nga taksa prej 3% për primin bruto. Me këtë lëvizje, tha ai, shkohet drejt standardeve europiane. Së dyti, rritet renta minerare për pushtetin vendor, e përkthyer në gjuhë shifrash katërfishi i asaj që ka përfituar deri tani pushteti vendor. Gjithashtu, ulet taksa për rafineritë vendase dhe reduktohet renta minerare, me qëllim nxitjen e sektorit minerar. Po ashtu, ulet taksa doganore për gomat e automjeteve nga 15-10% dhe përjashtohet nga taksa për të ardhurat personale kontributi për pensionet vullnetare. Duke folur për lehtësimin e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Cani tha se “Vendoset kontrolli mbi bazë risku për rimbursimin e TVSH-së. Për agropërpunimin dhe biznesin në bujqësi, rimbursimi i TVSH-së shkon në masën 20% nga 6% që është. Bëhet zero tarifa doganore për lëndët e para dhe mallrat masive në bujqësi, si gruri, mielli etj. Së fundi, sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe karburantit”.


Shlyerja e detyrimeve
Ministri Cani deklaroi se në periudhën afatmesme 2015-2017 planifikohet edhe shlyerja e të gjitha detyrimeve të prapambetura, ndërsa theksoi angazhimin e qeverisë për të mos krijuar të reja. “Do të ndërmarrim reforma, të cilat qeveritë e tjera nuk i kanë prekur, si reforma e pensionit, ajo e energjisë. Do të shlyejmë detyrimet e prapambetura dhe vlen për të përmendur që nuk do të ketë asnjë detyrim të pashlyer ndaj biznesit. Në 2015-n, edhe për reformën territoriale, e cila ka problemet e veta me buxhetin”, u shpreh Cani. Një kërkesë disavjeçare e bizneseve në vend, siç është njohja e firove, më në fund do të realizohet, kështu ka bërë të ditur Cani. “Brenda 6 muajve qeveria do të impenjohet për të nxjerrë ligjin për njohjen e firove, si pasojë biznesmenëve do u rriten fitimet”, tha Cani. Një tjetër ligj që do të ndryshohet, njoftoi Cani, ka të bëjë me amortizimin e kapitalit, i cili do të bëhet shpenzim i zbritshëm për bizneset. Duke folur për procedurat tatimore, Cani theksoi se do të mbetet kriteri për kontrolle nga ana e tatimorëve, në rastet kur do të ketë rimbursim të TVSH-së, sipas tij nuk do të ketë në të gjitha rastet, por kjo do të mbetet si kriter.


Pensione sociale për të varfrit
Cani njoftoi se skema e re e pensioneve do të prekë disa shtresa, duke vënë theksin tek ata që sapo dalin në pension, ata që ndodhen aktualisht në marrëdhënie pune, si dhe në prag të daljes në pension. “Reforma e pensioneve është e gjerë. Bazohet mbi disa shtylla dhe drejtime. Një drejtim është që ka një shtresë të caktuar dhe që mendohet se për arsyet nga më të ndryshmet, nuk ka mundur të gjejë punë, nuk është përshtatur dot, s’ka mundur të paguajë, ka qenë shtresë e varfër në nevojë, këtyre u krijohet mundësia e pensionit social kur arrijnë një moshë të caktuar. Deri tani, pensioni ka pasur një kufi, që kush merrte pension, kishte një nivel maksimal shumë të ulët, që nuk përputhej me atë që individi kontribuonte”, deklaroi ministri i Financave./Gazeta Shqip


Më të lexuarat