Secondary Adv

Tatimet, 18 mije biznese ne listen e borxhlinjve duhet te shlyejne 570 mln euro

Prej vitit 2011 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon një listë të bizneseve debitorë të cilat janë objekt i mbledhjes më forcë të borxhit. Sipas të dhënave zyrtare të institucionit, numri i bizneseve në këtë listë arriti në rreth 18.5 mijë në korrik të këtij viti.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, detyrimet e subjekteve të listës së publikuar në faqen e tatimeve është rreth 78 miliardë lekë (rreth 570 milionë euro). Në këtë shifër, përfshihen edhe detyrime të papaguara, por që janë objekt i ligjit të fshirjes, i cili i shtrin efektet vepruese deri më 31 dhjetor të këtij viti, pra kjo vlerë do të reduktohet nga aplikimi automatik i fshirjes së disa lloje detyrimesh, bëjnë të ditur tatimet.


Në këtë shifër përfshihen gjithashtu edhe detyrimet të cilat janë në proces ankimi administrativ, efektivisht të siguruara nga garancitë bankare. Së fundi, ndikim në këtë situatë debish japin edhe detyrimet që lidhen me akcizën, por që aktualisht mblidhen nga administrata doganore. Tatimet, së fundmi kanë rritur presionin për mbledhjen me forcë të detyrimit të papaguar të bizneseve. Masat e mbledhjes me forcë të borxhit tatimor, janë urdhër bllokimi i llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka logaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij. Hapi i dytë, i tretë dhe i katërt kanë të bëjnë me bllokimin sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive.


Pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme sqaroi tatimpaguesit se afati për të paguar borxhin tatimor është: Në rastin e vetëdeklarimit brenda 10 ditëve nga data e vetëdeklarimit. Nëse borxhi nuk është apeluar bëhet brenda 30 ditësh, pagesa nis nga data e marrjes së njoftim vlerësimit. Me plotësimin e afateve proceduralë sistemi në mënyrë automatike ju dërgon në e-filing e bizneseve “Njoftim dhe kërkesë për pagimin e detyrimit tatimor”. Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së këtij njoftimi, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit.


Në tërësi borxhi tatimor është sa dyfishi i shumës se bizneseve që janë publikuar në listën e tatimeve . Në fund të vitit 2016 tatimet raportuan se borxhi i bizneseve ndër vite ndaj tyre kishte arritur një vlerë prej 147 miliardë lekësh ose rreth 1.1 miliardë euro. Kjo shumë është krijua nga 778 mijë raste të mosshlyerje së detyrimeve tatimore në kohë.  Numri i lartë i rasteve tregon se një biznes ka krijuar borxh me shumë se njëherë në kohë të ndryshme. Nga të dhënat e tatimeve shihet stoku i borxhit, deri n fund të vitit 2016 përbëhej kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vite me një peshë prej 34% të totalit të borxhit. Tatimet sqarojnë se mundësi më e madhe për t’u arkëtuar nga ana e drejtorive rajonale, është vlera e borxhit me moshë deri në 2 vjet, e cila përbën 41% të stokut të borxhit. Referuar ndarjes sipas llojit të tatimit, vërehen detyrimet për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në masën 35 % e stokut të borxhit. Në ndarjen e borxhit sipas llojit të tatimit, TVSH-ja zë peshën më të madhe të totalit të stokut të borxhit, ndjekur nga zëri Të Tjera me 29%, dhe më pas nga Tatim Fitimi, Sigurime Shoqërore Shëndetësore dhe TAP.


Më të lexuarat