Secondary Adv

Gati taksa e re e prones, TVSH per te gjithe biznesin

Me paketën fiskale të vitit 2018, qeveria do të heqë pragun eTVSH-së. Në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar do të përfshihen të gjitha bizneset, duke nisur nga ato me xhiro zero.

 

Vitin e ardhshëm qeveria do të aplikojë edhe taksën e re të pronës, që nuk do të jetë më fikse, por do të llogaritet mbi vlerën e shtëpisë sipas tregut. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së Partisë Socialiste, informoi mbi paketën fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm.


Biznesi
Nuk është më sekret, në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar do të përfshihen të gjitha bizneset. Në skemën e re pritet të përfshihen 80 mijë biznese të vogla, duke përfshirë edhe ambulantët, pasi skema do të nisë të zbatohet që nga bizneset me xhiro zero. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, sqaroi se TVSh-ja nuk rrit koston e biznesit formal. “Te paketa fiskale duhet të përmend tri elemente të rëndë- sishme, të konsultuara deri në detaje me Kryeministrin. E para është shtrirja e TVSH deri te niveli i qarkullimit zero. Shtrirja e TVSH-së nuk sjell rritje të kostos, rritje kosto sjell vetëm aty ku ka pasur informalitetit. Aty ku ka formalitet, nuk ka asnjë rritje kostoje, përkundrazi, shkon në favor të konsumatorit dhe qytetarit të zakonshëm”, tha Ahemtaj. Zgjerimi i skemës së TVSH-së do të kërkojë që çdo biznes, si i vogël apo ambulant, të regjistrojë TVSH-në në blerjen që bën te biznesi i madh, dhe nga ana tjetër, të llogarisë TVSH-në e shitjes te konsumatori.


Taksa e shtëpive
Veç heqjes së pragut të TVSh-së, paketa fiskale sjell edhe vendosjen e taksës së pronës bazuar mbi vlerën e tregut. Ministri Ahmetaj, në prezantimin e paketës fiskale, tha se taksa e pronës do të formalizojë të ardhurat për pushtetin vendor. “Taksa mbi pasuritë e paluajtshme do të sjellë formalizëm dhe të ardhura për pushtetin vendor. 2018 është viti i parë që pushteti vendor merr 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto nga buxheti i shtetit”, tha Ahmetaj.


Vendosja e taksës së pronës, bazuar mbi çmimet fiskale të referencës, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Fondit Monetar ndërkombëtar. Më herët, në raportin e hartuar nga departamenti Fiskal i Fondit Monetar Ndërkombëtar, “Tatimi i pronës bazuar në vlerën e tregut: plani për zbatimin”, rekomandohet se niveli më i arsyeshëm i taksës së pronës mund të jetë nga niveli minimal 0.075 për qind, deri te niveli më i lartë 0.15 për qind i vlerës së tregut të pronës dhe do të paguhet një herë në vit.


Formula që rekomandon Fondi Monetar Ndërkombëtar përfshin llogaritjen e taksës mbi vlerën e apartamentit sipas tregut, por duke përfshirë edhe truallin mbi të cilin është ndërtuar pallati apo vila. Më shumë taksë do të paguajnë ata qytetarë, që disponojnë shtëpi me sipërfaqe më të mëdha. Për tokën bujqësore, FMN-ja propozon taksën 21 euro në vit, apo 1.1 për qind të të ardhurave minimale vjetore të fermerit. Aplikimi i taksës së pronës mbi vlerën e tregut kërkon domosdoshmërisht përfundimin e kadastrës fiskale, e cila do të përmbajë të plota të dhënat për sipërfaqen e pronës dhe vlerën e saj. Projekti pilot fillimisht do të nisë zbatimin në 4 bashki, ato të Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Korçës.


Më të lexuarat