Secondary Adv

ARRSH dhe IKMT nderhyjne ne Milot, Gjiknuri: Prioritet siguria rrugore

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte sot në Milot në kuadër të operacionit për pastrimin e nyjeve dhe akseve rrugore kombëtare.

 

“Jemi këtu në një nga nyjet e rëndësishme të akseve kombëtare, kryqëzimi i Milotit. Deri më tani, të gjithë personat që kanë kaluar kanë parë që ka patur objekte të paligjshme, aktivitete tregtare të paautorizuara, që shpeshherë mund të kthehen në burim aksidenti. Në kuadër të këtij operacioni shumë të rëndësishëm që është nisur për rritjen e sigurisë rrugore dhe pastrimin e akseve kombëtare, erdhi rradha edhe për këtë aks. Siç po e shikoni, këtu po pastrohen objektet e paligjshme. Ishit dëshmitar edhe të prishjes së objektit të ndërtuar në mënyrë të paligjshme pranë aksit të rrugës”, u shpreh Gjiknuri.

 

Sipas tij, ky proces do të vazhdojë në të gjitha akset kombëtare. “Unë e kuptoj se ka edhe njerëz që preken ekonomikisht por duhet të kuptojmë se gjeja më e rëndësishme në këto raste është siguria rrugore. Shpesh herë këto aktivitete tregtare në buzë të rrugës, janë kthyer në burim aksidentesh dhe problem të madh edhe për trafikun. Ju po e shikoni dhe qeveria shqiptare është e vendosur që këtij procesi ti shkojë deri në fund”, nënvizoi Gjiknuri. Më tej, ai u ndal edhe tek çështja e tabelave të karburanteve dhe nevojës për një model të ri për reklamimin e këtyre aktiviteteve pa rënë ndesh me Kodin Rrugor.

 

“Dje patëm një takim edhe me gjitha shoqëritë kryesore të karburanteve dhe tabelat e vendosura pa miratim nga ta do të hiqen në mënyrë vullnetare ose forcërisht. Gjetëm mirëkuptimin me operatorët pasi e kuptuan se është momenti për ti hequr këto tabela dhe sëbashku me ministrinë do gjejnë një model të caktuar, të aprovuar se si pikat e karburanteve do reklamojnë produktin e tyre”, tha Gjiknuri.


Më të lexuarat