Secondary Adv

Eksportet, shtatori pozitiv por deficiti vjetor ngelet me i larte

Eksportet shqiptare patën një ecuri pozitive edhe gjatë muajit shtator. Sipas Institutit të Statistikave, eksportet gjatë shtatorit u rritën me afro 17% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2016. Në nëntë muaj, eksportet shqiptare kanë arritur në rreth 201 miliardë lekë, 13% më shumë krahasuar nëntëmujorin e vitit të kaluar.

 

Rritja e eksporteve këtë vit po udhëhiqet sidomos nga rritje e lartë në grupin materiale ndërtimi dhe metale. Eksportet e këtij grupi janë rritur me 40% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kolona kryesore e eksporteve ngelet grupi i tekstileve dhe këpucëve, që zë afro 44% të vlerës totale të tyre. Eksportet e këtij grupi u rritën edhe për shtatorin, ndërsa për gjithë nëntëmujorin rritja është afro 9%.


Ndërkohë, grupi tjetër me rëndësi për ecurinë e eksporteve në vitet e fundit “minerale, lëndë djegëse, energji”, ende nuk arrin dot një rimëkëmbje të qëndrueshme. Eksportet e këtij grupi pësuan rënie gjatë shtatorit, ndërsa për 9-mujorin ato ruajnë një rritje të papërfillshme kundrejt vitit të kaluar.
Rritja e eksporteve e ka frenuar disi deficitin tregtar të vendit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për shtatorin deficiti tregtar ra me 6% ndaj të njëjtit muaj të vitit të kaluar.


Për nëntë muaj, deficiti në këmbimin e mallrave arriti në 252 miliardë lekë, në rritje me 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Importet u rritën edhe për shtatorin me 10% me bazë vjetore. Në nëntë muaj, Shqipëria ka importuar mallra në vlerën e 453 miliardë lekëve, 7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Më të lexuarat