Secondary Adv

Rikthehen borxhet, ne 8 muaj 65 mln euro pune te papaguara

Qeveria ka 65 milionë euro borxhe të papaguara ndaj kompanive private, vetëm për investimet në rrugë dhe ujësjellësa

 

Top Channel ka mësuar se Ministria e Transportit ka kryer javën e fundit një verifikim mbi gjendjen e detyrimeve të papaguara.Nga verifikimet dhe krahasimi i kontratave ka rezultuar se, deri në fund të tetëmujorit, borxhet e papaguara ndaj kompanive private që kanë ndërtuar rrugë janë 54 milionë euro, ndërsa 11 milionë euro të tjera u përkasin investimeve në ujësjellësa.

 

Sipas verifikimit, pjesa më e madhe e detyrimeve janë krijuar në periudhën Janar-Gusht të këtij viti, veçanërisht gjatë muajve të fushatës elektorale dhe periudhës së tranzicionit politik. Por Ministria e Transporteve nuk është e vetmja që ka krijuar borxhe të papaguara ndaj biznesit. Sipas Fondit Monetar, edhe Tatimet kanë rreth 30 milionë euro detyrime ndaj kompanive private, për TVSH të parimbursuar.

 

Nëse këtyre u shtohen edhe rreth 80 milionë euro të tjera detyrime të pushtetit vendor, të trashëguara prej shumë vitesh, atëherë borxhet e papaguara që sektori publik ka ndaj biznesit llogariten në rreth 175 milionë euro, ose gati 1.7 për qind e prodhimit kombëtar. Në periudhën 2014-2016, qeveria pagoi rreth 500 milionë euro borxhe të trashëguara ndaj biznesit. Rikthimi i detyrimeve të prapambetura ka shqetësuar edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që i kërkoi qeverisë të përmirësojë rimbursimin e taksave dhe të forcojë kontrollin e angazhimeve financiare, veçanërisht në Ministrinë e Transporteve.


Më të lexuarat