Secondary Adv

Bashkia do te rehabilitoje rrugen e Kombinatit

Aksi rrugor prej 2.3 kilometrash nga Mbikalimi te Pallati me Shigjeta e deri në Kombinat do t’i nënshtrohet një rehabilitimi tërësor. Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat për punimet, të cilat do të kenë një kosto maksimale prej 248 milionë lekësh.

 

Për shkak edhe të gjatësisë së rrugës, punimet do të zgjasin në kohë dhe do të shtrihen në 34 javë, ose rreth 8 muaj pas nënshkrimit të kontratës. Kjo do të thotë që segmenti me shumë gjasa do të inaugurohet jo më parë se muaji Gusht i vitit të ardhshëm. Ndërhyrja do të prekët jo vetëm karexhatën, por edhe trotuarët në anët saj, të cilëve do t’u bashkangjiten edhe korsi biçikletash në çdo anë. Në disa segmente këto korsi nuk do të marrin domosdoshmërisht hapësirë nga rruga apo trotuari, pasi parashikohet edhe prishja e disa mureve rrethues.

 

Ndërtimi i korsive të dedikuara në këtë segment përmbush planin e Bashkisë për shtrirjen e tyre në të gjithë gjatësinë e linjës Kombinat-Kinostudio dhe është në përputhje me vizionin e planit rregullues të Tiranës. Ashtu si në segmentet rreth unazës së vogël të qytetit, edhe trotuaret e këtij segmenti do të shtrohen me pllaka për të verbrit, të identifikueshme nga relievi i ngritur i tyre.

 

Në 2/3 e projektit, nga ura teknologjike deri tek rruga Thoma Koxhaj, korsitë e rrugës do të ndahen me trafikndarës. Ndryshe nga disa rrugë të tjera në kryeqytet, ky segment i nënshtrohet rehabilitimit jo vetëm për biçikletat, por edhe për vetë nevojën që ka segmenti tashmë i amortizuar, i cili është një portë hyrëse e dalëse nga kryeqyteti.


Më të lexuarat