Secondary Adv

Propozimet per paketen fiskale. Biznesi: Mbani premtimet elektorale, ulni taksat

Komuniteti i biznesit ka paraqitur kërkesat e tij për paketën fiskale që do të shoqërojë  buxhetin e vitit të ardhshëm, e cila u diskutua nen për nen në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.

 

Përfaqësues të  Dhomës  së Tregtisë  së Tiranës dhe asaj Amerikane kanë paraqitur kërkesat e tyre pranë këtij komisioni. Kërkesat kryesisht janë fokusuar tek ndryshimi i pragut të TVSH për biznesin e vogël, si dhe tek taksa mbi pronën. Sipas kreut të Dhomës së Tiranës, Nikolin Jaka, biznesi i vogël është “masha” që përdor biznesi i madh për të bërë evazion.


“Duhet të heqim pragun për qarkullimin tregtar. Pra duhet të heqim pragun për ato sipërmarrje të vogla, të cilat akoma vazhdojnë të mëshirohen dhe jo të suportohen që të jenë eficientë në ekonomi. Ne mendojmë që për xhiron deri në 5 mln lekë tatim fitimi të jetë zero. Nga 5 mln deri në 14 mln të jetë 5 për qind dhe për xhiro më të lartë se 14 mln të jetë 10 për qind, pra të mos ketë lidhje tatim fitimi me TVSH. Pra në qoftë se për TVSH kemi pragje apo përjashtime për tatim fitimin, duhet të ketë qarkullim tregtar në mënyrë që të përfitojmë apo të mundësojmë sërish atë që ne tashmë e kemi si objektiv si Dhomë Tregtie, krijimi i shtresës së mesme” u shpreh Jaka.


Përfaqësues të Dhomës Amerikane kanë kërkuar që të ketë qëndrueshmëri të legjislacionit fiskal, ndërkohë që i rikujtuan mazhorancës që të mbajnë premtimet e dhëna para zgjedhjeve, për uljen e nivelit të dividendit dhe tatimit mbi të ardhurat personale.  “Të mbani premtimin elektoral, premtuar shumë pastër dhe qartë në të shkruar. Ata kërkuan që të mbani premtimin për 18 për qind, taksën maksimale të tatimit mbi pagën dhe 6 për qind të tatimit mbi dividendit. Është një lutje, këto janë komente tepër konstruktive, por gjithsecili pret që premtimi të mbahet.” u shpreh Gent Daci, Zv.president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.


Por Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford është shprehur se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata përsëri do ia paraqesin qeverisë vitin e ardhshëm. Ndërsa kreu i biznesit kryeqytetas, Jaka, gjatë diskutimit për taksën e pronës kërkoi që të ndërhyhet në ligjin për urbanistikën.


Më të lexuarat