Secondary Adv

Ne Tirane vetem autobuse elektrike! Veliaj: Krijojme kompani per transportin publik

Transporti publik në zonën urbane të Bashkisë Tiranë do të fillojë të shndërrohet në favor të autobusëve elektrike. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak njoftoi se prova e këtyre mjeteve shkoi me sukses në disa linja, si ajo Kombinat-Kinostudio.


“Testimi shkoi me sukses, disa nga kompanitë kanë filluar porositë e para për autobusët elektrikë, sepse duhet njëfarë kohe për prodhimin. Për ne nuk ka rëndësi nëse janë kinezë, italianë, holandezë apo belgë, rëndësi ka të fillojë një konvertim i flotës drejt autobusëve elektrike. Jo brenda natës, por të paktën 20% e flotës do të konvertohen në vit. Kompanitë që nuk duan të bashkohen, do të humbasin licencën. Për këtë arsye Bashkia e Tiranës po mendon të krijojë një kompani publike për transportin”, u shpreh Veliaj.


Po ashtu në kuadër të reduktimit të ndotjes në mjedis, Veliaj njoftoi se po vijohet me shtimin e korsive të dedikuara për biçikletat, ku brenda këtij viti pritet të përfundojnë 10 kilometra. Kryetari i Bashkisë, njoftoi gjithashtu se pranverën e ardhshme do të nisë zbatimi i marrëveshjes me Bashkinë e Firences për shtimin e shërbimit bike-sharing.


“Në Mars do të shtojmë shërbimin bikeshare, pra biçikleta që përdoren nga qytetarët. Do të sjellim 4 mijë biçikleta dhe me realizimin e këtij projekti do të jemi ndër qytetet më avangardë. Do të kushtojnë më pak se biletat e autobusit”, tha kryebashkiaku. Gjatë raportimit të punëve të bashkisë përpara këshillit, Veliaj tha se ka nisur tashmë edhe konturimi i pyllit orbital. Me mbjelljen e pemëve të reja, brenda fundit të këtij mandati, kryetari i Bashkisë u shpreh se do të ofrohet për qytetarët e Tiranës, një park i dytë i ngjashëm me Liqenin Artificial, ai i Parkut të Farkës.


Më të lexuarat