Secondary Adv

Freedom House 2018: Korrupsioni, problemi kryesor ne Shqiperi

Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë, duke ruajtur të njëjtin pozicion në raportin e përvitshëm të Freedom House. Edhe këtë vit, Shqipëria renditet në vendin 68 nga 195 ekonomi të marra në shqyrtim.

 

Në total, Shqipëria vlerësohet me 3 pikë nga 7 të mundshme. Me po aq pikë është vlerësuar për Të Drejtat Politike dhe Të Drejtat Civile. Në Shqipëri, Raporti i Freedom House cilëson se vendi shënoi rekord për zgjedhje konkurruese, megjithatë partitë ishin shumë të polarizuara dhe shpesh të fokusuara tek liderët partiakë. Vëzhguesit dolën në rezultatin se zgjedhjet parlamentare 2017 ishin në përgjithësi të rregullta dhe të besueshme, edhe pse u raportuan blerje të votave dhe probleme procedurale, si dhe procesi i votimit u vonua për shkak të bojkotit të opozitës, nënvizohet në raport.
Korrupsioni vijon të mbetet shqetësimi kryesor dhe ndërhyrja e bizneseve të fuqishme, politikës dhe mediave pengon zhvillimin e lajmeve me të vërtetë të pavarura.


Raporti vjetor i Freedom House, grupi joqeveritar, me seli në Uashington, publikuar këtë të martë, shënoi Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën si “pjesërisht të lira”, ndërsa liria në Serbi është vlerësuar në rënie. Megjithatë Serbia dhe Kroacia, në raportin e publikuar sot, futen në mesin e vendeve të lira.


Demokracia po tkurret në të gjithë botën

Freedom House ka bërë vlerësimin në 195 vende të botës, nga të cilat 88 janë radhitur si të lira, 58 pjesërisht të lira dhe 49 jo të lira. Demokracia është “nën sulme dhe po tkurret” në gjithë botën; Shtetet e Bashkuara kanë hequr dorë nga roli tradicional si kampione të idealeve demokratike, ndërsa Rusia dhe Kina “kanë rritur represionin” dhe “ndikimin e keq jashtë vendit”, thuhet në raportin e organizatës Freedom House. Raporti thotë se 2017-a ka qenë viti i 12 radhazi i rënies së lirisë globale – me 71 vende që kanë vuajtur rënie në të drejtat politike dhe liritë civile. |Ballkanweb


Më të lexuarat