Secondary Adv

Tkurret popullsia e vendit, kercenon skemen e pensioneve dhe tregun e punes

Më datë 1 Janar 2018, Shqipëria numëronte 2,870,324 banorë, çka nënkupton një rënie me 0,2% krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se popullsia iu rikthye trendit rënës, pas një ngritjeje të lehtë më 1 Janar 2017.

Edhe pse numri i lindjeve është ende më i madh se numri i vdekjeve, duke sjellë një shtesë natyrore prej 8,637 banorësh, është emigracioni fenomeni që po tkurr popullsinë e vendit. Gjatë vitit që lamë pas prurjet e imigrantëve me largimet e emigrantëve rezultuan me një bilanc negativ prej 14,902 banorësh. Një fluks i tillë largimesh dhe norma e ulët e lindjeve ka filluar të kthehet në një kërcënim të afërt për vendin, i cili tashmë ka gjithmonë e më pak të rinj dhe gjithmonë e më tepër të moshuar.


Nëse një vit më parë, personat në moshë 0-14 vjeç zinin 26,7% të popullsisë, sot ata zënë vetëm 26%. Edhe raporti i personave në moshë mbi 65 vjeçare është rritur nga 18,9% në 19,4%. Ky zhvillim nënkupton se në të ardhmen skema e pensioneve do të bëhet një barrë edhe më e madhe, pasi do të ketë më pak persona në moshë pune për të përballuar një numër më të madh pensionistësh.


Duke u bazuar tek piramida e popullsisë, vëmë re dy kreshta, të cilat ndalen konkretisht tek moshat 48-54 vjeç, të cilat i takojnë një bumi lindjesh të viteve 1964-1970. Kur këta individë të dalin në pension, pra pas rreth 12-18 vitesh, atëherë do të nisin të shfaqen edhe problemet e para për ekonominë e vendit.
Gjithsesi, ky numër i shtuar pensionistësh do të mund të kompensohet nga të rinjtë e sotëm të moshave 18-21 vjeç, që i takojnë bumit të lindjeve të viteve 1997-2000. Këta të fundit pas 12 vitesh do të jenë në kulmin e moshës së punës, por kur t’i drejtohen vetë daljes në pension pas 48 vitesh, atëherë do të shfaqet edhe vala e dytë problematike në këtë drejtim, si dhe në aspektin e mungesës së krahut të punës. | SCAN


Më të lexuarat