Secondary Adv

Tatimet: Si te deklaroni te ardhurat individuale

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një udhëzuesi, ka bërë me dije se çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë në vit, në mbështetje të Ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.

 

Afati për dorëzim është data 30 prill

Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë.

 

Individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si më poshtë:

• Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit
• Të ardhurat bruto nga dividenti
• Të ardhurat bruto nga qiraja

 

• Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit
• Të ardhura bruto nga interesat bankare     

• Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme 

 

• Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit. 

• Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.   

• Fitimi kapital nga dhurimi.

• Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.   

• Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart 

 

Plotësimi i pasaktë i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues. Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi. Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm

 

 Në bazë të shumës së pagave të përfituara në total nga të gjithë punëdhënësit, individi bën llogaritjet sipas skemës së mëposhtëme :

– Për shumën e pagave mujore deri 30.000 lekë tatimi është zero përqind
– Për shumën e pagave mujore nga 30.001 lekë – 130 000 lekë tatimi është 13 për qind e shumës mbi 30 000 lekë
– Për shumën e pagave mujore nga 130 001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23 për qind e shumës mbi 130,000 lekë

 

Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për të 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në kutinë 4 të deklaratës, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet. Deklarimi i të ardhurave, kujton DPT, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij./Monitor 

 


Më të lexuarat