Secondary Adv

Haxhinasto fton investitoret franceze per hekurudhat. Vendoset linje direkte ajrore Tirane - Paris


Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka marrë pjesë në Konferencën “Dita e Shqipërisë”, në Francë, ku ka ftuar investitorët francezë të bëhen pjesë e zhvillimit të transportit në Shqipëri.


Kjo konferencë synon afrimin e mëtejshëm të biznesit francez në vendin tonë, ndërsa ministri Haxhinasto ishte ftuar nga UBIFRANCE, Agjencia Franceze për Zhvillimin e Aktiviteteve Ndërkombëtare të Investimeve të Shoqërive Franceze. Haxhinasto parashtroi kushtet dhe garancitë që ofron Shqipëria për rritjen e prezencës se biznesit francez në ekonominë e vendit. Ministri i Transportit theksoi se ky shkëmbim duhet të intensifikohet, në kushtet e reja të avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai vlerësoi statusin modern dhe novativ të institucioneve dhe formës së qeverisjes, që çdo ditë e më tepër po merr formë evropiane.


Duke vijuar me transportin dhe infrastrukturën, Ministri Haxhinasto u shpreh se progresi ka filluar dhe se po synohet drejt unifikimit të standardeve dhe cilësisë në veprat infrastrukturore. Ai paraqiti planet e zhvillimit të rrjeteve të transportit dhe të shërbimeve të tij dhe ftoi kompanitë franceze për të qenë pjesë e këtyre zhvillimeve.  Haxhinasto përmendi zhvillimet në infrastrukturën rrugore, projektet e rritjes së sigurisë e cilësive të rrugëve, konçesionin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit dhe të tjera.


Situata e re ekonomike shqiptare, mundësi për biznesin francez
E përditshmja ekonomike franceze “La Tribune” i kushtonte të martën një shkrim situatës së re ekonomike shqiptare, me autor Alfred Mignot, i cili vëren se kjo situatë paraqitet tërheqëse për ndërmarrjet franceze dhe se për këtë qëllim Ubifrance, agjencia franceze për zhvillimin ndërkombëtar të ndërmarrjeve do t’i kushtojë një ditë prezantimit të kësaj ekonomie më 20 nëntor ne Paris, në praninë e shumë ministrave shqiptarë.
‘Me një normë rritjeje ekonomike prej 3 %, Shqipëria i nxjerr gjuhën krizës! Aq më mirë, pasi edhe falë statusit të saj si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo do të përfitojë si rrjedhojë, financime për të zhvilluar infrastrukturat më të rëndësishme të saj, si ato rrugore, hekurudhore, portuale, aeroportuale dhe vepra të tjera të mëdha. Edhe pse vend i vogël, Shqipëria sheh larg. Nuk i mungojnë as tiparet tërheqëse për ndërmarrjet franceze.


Investime të mëdha në infrastrukturë
Vendi është angazhuar në projekte të shumta të zhvillimit ekonomik, që prekin infrastrukturën, transportin, energjinë, bujqësinë dhe turizmin. Shqipëria  mundi të financonte gjatë krizës, pa asnjë subvencion nga jashtë, realizimin e autostradës më të madhe të vendit që lidh portin e saj më të madh  (Durrës) me Kosovën fqinje, me një kosto prej më shumë se një miliard euro. Ky aks rrugor shumë i rëndësishëm forcon dhe nxjerr më në pah  vlerat e pozicionit gjeografik strategjik të Shqipërisë, si një portë hyrëse në pjesën jugperëndimore të Ballkanit.


Një tjetër projekt i përmasave akoma më të mëdha është në rrugë e sipër: Trans Adriatic Pipeline (TAP), një gazsjellës prej afro 900 km, që do të transportojë gazin natyror të Detit Kaspik në Azberjaxhan drejt Italisë dhe tregut evropian, përmes Shqipërisë. Projekte të tjera të infrastrukturës rrugore, hekurudhore  dhe aeroportuale janë në studim e sipër, që janë vepra të mëdha që do të lidhin vendin me fqinjët e tij ballanikë dhe më gjerë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama  sapo ka kryer një vizitë në Beograd, e para e një kryetari qeverie që prej 68 vjetësh, për të përmendur ndër të tjera, ndërtimin e një linje hekurudhore ndërkombëtare, që do të lidhë Serbinë me Shqipërinë dhe për të cilën Komisioni evropian mund të financojë deri në një miliardë euro, në kuadrin e fondit të para anëtarësimit, nga i cili përfitojnë të dy vendet. Shqipëria mendon gjithashtu t’i ofrojë kryeqytetit të saj, Tiranës, tramvajin e tij të parë,  dhe për këtë ka realizuar një studim fizibiliteti, në saj veçanërisht të një financimi nga Franca.
Në fushën e energjisë, ambiciet janë po ashtu të mëdha. Ato kanë të bëjnë me ndërtimin linjave të interkonjeksionit dhe ndërtimin e hidrocentraleve për të shfrytëzuar potencialin e madh të vendit në këtë drejtim. Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Evropë për nga burimet hidrike, por nuk shfrytëzon veçse një pjesë të kësaj pasurie  për nevojat e saj për energji. Ekonomia shqiptare ka gjithashtu pasuri të rralla nëntokësore (hekur, krom dhe bakër) si dhe hidrokarbure. Nxjerrja e naftës dhe e gazit rritet çdo vit, edhe në saj të mbërritjes së investimeve të huaja.
Bujqësia paraqet gjithashtu një potencial gjerësisht të pashfrytëzuar  dhe është kthyer në prioritetin kryesor të një vendi, që ka një klimë mesdhetare dhe një krahë punë shumë konkurrues. Trajtimi i mbetjeve urbane dhe i ujërave të zeza, si dhe furnizimi pa probleme i popullatës me ujë dhe energji, që paraqesin mungesa në të gjithë vendin, përbëjnë gjithashtu projekte strategjike imediate. Po ashtu,  turizmi detar dhe ai malor që i ofrojnë Shqipërisë mundësi të mëdha zhvillimi për sa i përket rritjes ekonomike. Këto projekte, për nga përmasat e tyre, kërkojnë një partneritet të përforcuar me ndërmarrje evropiane e natyrisht edhe me ndërmarrje franceze.


Shqipëria, një treg dhe vend që ofron garanci reale për investitorët
Tregu shqiptar në pamje të parë duket modest (me një popullsi prej 3 milionë banorësh), por ai duhet parë në shtrirjen e tij gjuhësore dhe kulturore. Në rajon jetojnë rreth 7 milionë shqipfolës. Për më tepër, nisur nga pozicioni i saj gjeografik  buzë detit Adriatik, përballë Italisë, Shqipëria mund të kthehet fare mirë në një trampolinë të tregtisë rajonale, në sajë veçanërisht edhe të portit të saj të Durrësit. Me heqjen e pengesave doganore, ekonomitë e rajonit jug-perëndimor të Ballkanit do të bëhen gjithmonë e më të ndërvarura.


Në të kundërt të ideve të krijuara, Shqipëria  është një vend absolutisht i sigurt. Ajo ka akse rrugore të mira, edhe pse sistemi i rrugëve dytësore mbetet për t’u përmirësuar. Shqiptarët e kanë të shenjtë ndjenjën e mikpritjes ndaj të huajve. Popullsia është e re dhe flet gjuhë të huaja. Anglishtja është gjuhë e biznesit, italishtja është shumë e përhapur dhe ndodh shpesh të gjesh bashkëbisedues që flasin frëngjisht, përfshi edhe në qeveri, ku një e treta është frëngjishtfolëse perfekte dhe me shkollim francez. Shqipëria është ndër të tjera vend anëtar i organizatës së Frankofonisë. Numri i të rinjve në kurset e gjuhës frënge  dhe numri i studentëve që kanë zgjedhur frëngjishten është rritur me 30% në 2014. Shqipëria është vend laik,  ku fetë jetojnë në harmoni të plotë. Një shembull ky i përshëndetur nga papa Françesku, që sapo ka zhvilluar një vizitë zyrtare në vend, ku u prit me një entuziazëm të madh popullor. Në Shqipëri, afro një e treta e ndërmarrjeve të biznesit drejtohen nga gra.


Vendosja e një investitorit të huaj mund të bëhet, me disa kushte, me qiranë simbolike  prej një euro për metër katror. Norma e kontributeve të punëdhënësit as që ka të krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, duke ditur që paga minimale për orë në Shqipëri është më e ulët se një euro,  dhe paga mesatare mujore është nën 300 euro. Kompanitë tatohen me një përqindje maksimale prej 15 %, dhe janë të përjashtuara nga tatimet në zonat e lira. Shqipëria dhe Franca kanë nënshkruar një konventë që shmang taksimin e dyfishtë në fushën e taksave mbi të ardhurat dhe pasurinë. Kjo konventë ka gjithashtu si qëllim të shoqërojë zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë.


Shoqëritë dhe bankat franceze janë të prezantuara shumë mirë në Shqipëri, në sektorë të tillë si  tregtia, minierat, tekstilet, financat, shërbimet aviacioni etj. Ato zhvillohen në një klimë që e vlerësojnë si miqësore dhe frankofile.  Dhoma e Tregtisë Francë-Shqipëri i ndihmon në përpjekjet e tyre. Për ta mbyllur këtë përmbledhje të shkurtër mbi ekonominë e vendit tim, edhe një lajm tjetër i mirë: një fluturim direkt i parashikuar për në fund të tremujorit të parë 2015  do të lidhë dy kryeqytetet Tiranën dhe Parisin për 2 orë e gjysmë. Shkëmbimet dhe qarkullimi i biznesmenëve dhe turistëve do të ndiheshin shumë më të lehtësuara.


Më të lexuarat