Secondary Adv

Orari i ri ne shkolla; dy muaj me pas, pro dhe kunder skemes

Nga data 1 shkurt nxënësit e shkollave 9-vjeçare në vend, po mësojnë mbi një orar të ri mësimor, që dikton zhvillimin e 3 lëndëve në 6 orë. Duke sjellë një praktikë të re të organizimit të lëndëve në arsimin shqiptar.

 

Po çfarë mendojnë nxënësit për skemën e re, mbi 2 muaj pas zbatimit të saj në shkolla? “Më duket pak më e vështirë se, po pate një mungesë të ikin kot 2 mësime. Lëndët më duken më të gjata. Do preferoja më shumë skemën e vjetër, sepse p.sh kemi muzikë, e kemi një herë në dy javë. Për dy javë harrohen gjerat që kemi marrë. Duhen mësuar dy tema përnjëherë, do bëhen dyfish detyra. Sistemi nuk ia ka arritur qëllimit të tij, kemi dy herë më shumë ngarkesë. Mësimi bëhet monoton dhe mund të harrohen pas dy javësh”, janë disa prej komenteve të nxënësve kundër.

 

Por, skema e re 3 lëndë në 6 orë nuk është pritur njësoj nga të gjithë nxënësit. Të tjerë fëmijë kanë vlerësim pozitiv. “Tani i bëj të gjitha dhe më ngelet më shumë kohë për të luajtur. Mësimi është mi thjeshtë, përqendrohemi vetëm në 3 lëndë. Edhe çantën e kemi më të lehtë. Kam më shumë kohë për të bërë mësimet”, thonë nxënësit që janë pro skemës së re.

 

Po prindërit si e shikojnë ecurinë e fëmijëve? Ata vetë, janë lehtësuar? 

“Djali është i kënaqur, ngarkesa është më e lehtë në shtëpi. Jemi lehtësuar goxha, edhe fëmijët janë lehtësuar goxha nga çantat. Kur vijnë në shtëpi thonë se janë më të kënaqur”, shprehen disa prej prindërve. Ai që nuk dihet ende është qëndrimi i mësuesve, të cilëve iu është dashur të ribëjnë orarin mësimor, megjithëse në mes të vitit shkollor. E sigurt është që brenda këtij muaji ata do të dorëzojnë në ministrinë e Arsimit, rezultatet e para të zbatimit të skemës së re, një nga më të kontestuarat në arsim./Shqip


Me te lexuarat