Secondary Adv

Ofertat e celulareve, Albtelecom i kthen ne 30 dite

Kompania Albtelecom ka rikthyer paketat ofertë me kohëzgjatje 30 ditore. Dy vjet më parë, tre kompanitë më të mëdha të telefonisë celulare, Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom, në mënyrë pothuajse të njëkohshme shkurtuan kohëzgjatjen e paketave ofertë për përdoruesit me parapagesë nga 30 ditë në 28 ditë.

 

Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, shkurtimi në kohë i ofertave solli në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim.

Në përfundim të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës doli në përfundimin se sjellja e mësipërme mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike në tregun e telefonisë celulare, por nuk provoi dot ekzistencën e një marrëveshjeje të ndaluar mes operatorëve.

 

Megjithatë, Komisioni i Konkurrencës nxori disa rekomandime për operatorët dhe për AKEP, mes të cilave detyrimin për të publikuar çmimin e çdo njësie komunikimi që përmbajnë paketat ofertë, në përputhje me kërkesat e ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorëve”. Operatorët Vodafone dhe Telekom refuzuan të jepnin një informacion të tillë, me argumentin se llogaritje e çmimeve për njësi brenda paketave nuk është e mundur. Për këtë, në muajin shkurt Autoriteti i Konkurrencës i gjobiti dy operatorët me një gjobë simbolike në masën 0.02% të xhiros së vitit paraardhës, për një shumë totale prej rreth 4.8 milionë lekësh. Që nga fundi i vitit të kaluar, AKEP po ushtron një trysni më të fortë rregullatore në këtë treg dhe ka paralajmëruar marrjen e masave që do të garantojnë ruajtjen e konkurrencës dhe parandalimin e abuzimit me pozitën dominuese nga operatorët më të mëdhenj./Scan


Më të lexuarat