Secondary Adv

Penalitet per te gjitha kompanite qe nuk deklarojne transaksionet

 

Ligji për Transferimin e Çmimit, ndalon kompanitë që kanë degët e tyre në Shqipëri për të transportuar paratë e fitimit në kompanitë mëma. Kosto të alokuara, tarifa menaxhimi, tarifa shërbimi, tarifa teknike dhe shumë transaksione të tjera janë kosto të zakonshme që iu faturohen degëve apo filialeve të kompanive ndërkombëtare në Shqipëri nga mëmat apo palë të tjera të lidhura me to.


Kërkesa për të patur investitorë të huaj në vendin tonë, si një mundësi e mirë për të gjeneruar ekonominë ka dhe kostot e saj. Hartimi i një kuadri terheqës fiskal kërkon gjithashtu dhe rregullime të tjera ligjore. Kjo pasi gjatë viteve të fundit shumë kompani të huaja që zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në fusha të ndryshme në vendin tonë, apo kanë filiale të tyre, në shumë raste kanë rritur në mënyrë fiktive shpenzimet ose i kanë transferuar fitimet për të ulur pagesat në tatime.


Por, me miratimin e ligjit për Transferimin e Çmimit, tashmë fillon kontrolli i transferimit të fitimeve jashtë nga kompanitë e huaja në Shqipëri. Për këtë vetëm pak kohë më parë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka firmosur udhëzimin “Për transferimin e çmimit”.


Ndërkohë që kontrolli i tyre ka qenë një sfidë më vete për administratën tatimore por edhe për tatimpaguesit shqiptarë. Transferimi i Çmimit është një nga legjislacionet më të sofistikuar në nivel ndërkombëtar dhe mungesa e njohurive bazë, informacioneve krahasuese apo eksperincës së aktorëve kryesore në lidhje me këtë ligj kanë për të qenë disa nga pengesat më kryesore për implementim efektiv të këtij legjislacioni.


Por tashmë që për këtë qëllim është miratuar legjislacioni, mosdeklarimi në administratën tatimore nga këto sipërmarrje, do të penalizohet. Praktikisht, transferimi i çmimit ka qenë i parregulluar ose ka pasur një nen specifik në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, por detajimi i tij mungonte plotësisht dhe e bënte të vështirë ose thuajse të pazbatueshëm. Me ndryshimet e bëra, për çdo transaksion midis dy kompanive, që do të konsiderohen subjekte të lidhura me njëra-tjetrën qofshin këto “nënë”, “bijë”, degë apo “motra”, do të ushtrohet kontroll tatimor.


Si ka rezultuar transferimi i çmimit?
Deri më tani, procedura e transferimit të çmimit ka rezultuar e pazbatueshme nga organet tatimore, por bëhet i mundur me ndryshimin në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Transferimi i çmimit është tërësia e transaksioneve që realizojnë personat e lidhur e që kryhet përgjithësisht nga shoqëritë shumëkombëshe me vendndodhje të veprimtarive të biznesit të tyre në shtete të ndryshme, në formën e një filiali, dege, apo selie të përhershme. Transferimet e çmimit, që ndërmerren nga shoqëritë shumëkombëshe, kanë si qëllim transferimin e fitimeve nga një vend në një vend tjetër.


Sipas udhëzimit, përfshihen të gjithë llojet e transaksioneve që mund të ndikojnë fitimin e tatueshëm të një tatimpaguesi, duke përfshirë: transaksionet që përfshijnë mallrat, si lënda e parë, produkte përfundimtare, etj.; transaksionet e shërbimeve; transaksionet që përfshijnë pasuritë jomateriale, si të drejtat e autorit, licenca, pagesat për përdorimin e patentave, markat tregtare, njohuritë, etj, dhe çdo pronësi tjetër intelektuale; transaksionet financiare, që përfshijnë qiratë, interesat, pagesat e garancive, etj.; transaksionet kapitale, që përfshijnë blerjen ose shitjen e aksioneve apo investimeve të tjera, blerjen ose shitjen e aktiveve afatgjata materiale dhe jomateriale.


Transferimi i çmimit, ndër të tjera, ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve të shmangies së taksimit të dyfishtë sipas modelit të OKB-së, ku bazohen të gjitha marrëveshjet e lidhura nga vendi ynë dhe të gjitha vendet e tjera me të cilat ndërmerren transaksione të ndryshme. Sipas udhëzimit të ministrit Cani, tatimpaguesit e përfshirë në transaksione të kontrolluara (duke përfshirë tepricat e huave), të cilat në total, brenda periudhës raportuese kalojnë 50 milionë lekë, sipas udhëzimit, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë në drejtorinë rajonale tatimore në të cilën janë të regjistruar, një “Njoftim vjetor për transaksionet e kontrolluara”. Afati për dorëzimin e “Njoftimit vjetor për transaksionet e kontrolluara” është data e përcaktuar për dorëzimin e “Formularit të deklarimit dhe pagesës së tatimfitimit”, çka do të thotë brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës.


Më të lexuarat