Secondary Adv

12 projektet e Bashkise se Tiranes per shkolla, rruge dhe rehabilitime te blloqeve urbane

Janë 12 rrugë, shkolla apo blloqe urbane të cilat do të rikonstruktohen apo rehabilitohen gjatë këtij viti nga Bashkia e Tiranës. Institucioni i pushtetit vendor ka hapur procedurat për studimin dhe projektimin e këtyre veprave të infrastrukturës, proces i ndarë në 12 lote dhe që do të kushtojë në total rreth 42.7 milionë lekë.

 

Projektet më të rëndësishme kanë të bëjnë me rikualifikimin e bllokut që kufizohet nga rrugët “Liman Kaba”, “Prokop Mima”, “Robert Shvarc” dhe “Skënder Luarasi” në njësinë administrative numër 5; si dhe rikualifikimin e bllokut të kufizuara nga rrugët “Mine Peza”, “Fortuzi”,“Zogu I”, “Haxhi Hysen Dalliu” dhe “Asim Vokshi” në njësinë administrative numër 9. Pas projektimit, punimet në këto dy blloqe llogariten të kushtojnë përkatësisht 180 milionë lekë dhe 157 milionë lekë. Rehabilitimit do t’i nënshtrohet edhe qendra e Krrabës, më konkretisht fasadat e 3 pallateve dhe lulishtja, punimet për të cilat llogariten në 30 milionë lekë. Në grupin e rrugëve, parashikohet ndërtimi i Unazës 4 ose segmentit nga rruga “Ndre Mjeda” deri tek rruga “Dritan Hoxha”. 

 

Pas projektimit, ndërtimi i këtij segmenti pritet të kushtojë mbi 1 miliard lekë. Rehabilitimi i bulevardit “Zogu I” është gjithashtu në planet e Bashkisë, konkretisht segmenti prej630 metrash nga ish-Stacioni i Trenit deri tek ndërprerja me Unazën e Vogël. Bulevardi do të shtrohet sërish me pllaka guri dhe në total pritet të kushtojë 750 milionë lekë.

 

Rreth 52 milionë lekë pritet të kushtojë edhe rikonstruksioni i rrugëve “Xhemal Sheh Abazi” dhe “Ymer Beqiri”. Në Tiranë do të ndërtohet edhe një rrugë paralel me rrugën “Benjamin Kruta” në njësinë numër 7. Ndërkohë,  në Njësinë Administrative Kashar, do të ndërtohet rruga “Milto Sotir Gura”. Nën rikonstruksion do të përfshihen edhe rrugët e brendshme të fshatrave Pezë Helmës, Pezë e Madhe dhe Pezë e Vogël. Sa i takon objekteve arsimore që do të rikonstruktohen, ato janë shkolla 9-vjeçare “Ali Demi”, shkolla 9-vjeçare në Bërzhitë dhe ambientet e saj sportive, si dhe shkolla e Mesme e bashkuar “Ymer Lala” në Surrel. Në total, këto 12 projekte pritet të kenë një kosto të konsiderueshme realizimi, ku vetëm për blloqet dhe një pjesë të rrugëve vlera paraprake llogaritet në 2.1 miliardë lekë./Scan


Më të lexuarat