Secondary Adv

Vendimi: Bashkia Tirane do t’u jape pronat e saj per ndertim bizneseve private

Bashkia Tiranë do t’i japë pronat e saj për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të partneritetit publik privat. Nëpërmjet këtij modeli të zhvillimit të pronave të saj, bashkia thotë se synon që të përfitojë sipërfaqe ndërtimore, për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj.

 

Në mbledhjen e saj të ardhshme, bashkia pritet të shqyrtojë vendimin “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”. Modeli është i ngjashëm me marrëdhëniet mes individëve dhe ndërtuesve, ku individët që japin për zhvillim pronat e tyre marrin në këmbim një pjesë të sipërfaqes së ndërtuar, që pritet të luhatet midis 35-50%. Në vendim thuhet se sipërfaqja takuese ndërtimore që do të përfitohet nga Bashkia e Tiranes, në çdo rast duhet t’i referohet përqindjes më të lartë të kontratave të lidhura në zonën perreth, por në çdo rast kjo përqindje nuk mund të jetë me pak se 35 % e sipërfaqes ndërtimore për pjesën takuese që Bashkia Tirane ka vendosur në dispozicion të zhvilluesit privat. Në rast  se prona në pronësi të  Bashkisë Tirane është godinë,  ateherë Bashkia  duhet të përfitojë si rregull të njëjtën sipërfaqe  ndërtimore, e cila do  t’i  vendoset në  dispozicion  të zhvilluesit privat,  por në asnje rast  jo me pak se 50 % te siperfaqes, në ato raste kur godina është në gjendje të amortizuar.

 

Sipas relacionit, që shoqëron këtë vendim, “Struktura urbane e qytetit trashëgon pronësi të tipologjisë urbane historike, të përbërë nga shtëpiza individuale dhe të bashkëlidhura, të vendosura në parcela të çrregullta, të vogla dhe me shumë rrugica aksesi dhe kalimesh këmbësorësh me pronësi publike. Mospërfshirja e parcelave publike të këtij tipi dhe të ngjashme, në zhvillim vështirëson projektimin urban si dhe cënon zhvillimin e një gjuhe urbane të rregullt, nëpërmjet të cilës të mund të projektohen hapësira publike dhe rekreative të domosdoshme për komunitetin. Në kontekstin e planifikimit dhe projektimit është një kusht i domosdoshëm zhvillimi i parcelave publike për transformimin e kryeqytetit në një qytet cilësor dhe të qëndrueshëm bashkëkohor. Në vijim të këtij nocioni, si dhe zhvillimit të koncepteve të planifikimit në të cilat Tirana po avancon, Drejtoria e Planifikimit të Territorit aktualisht i rezervon të drejtat e zhvillimit të parcelave me pronësi publike në strategjitë e detajuara të planifikimit, te cilat nuk kanë arritur të përdoren dhe as të përmirësojnë projektimin urban pasi deri më tani nuk janë përfshirë në zhvillim në politikat e rizhvillimit nëpërmjet bashkëpunimeve privat-publik”.

 

“Gjithashtu, përfshirja e parcelave publike në zhvillim është një potencial i pashfrytezuar ekonomik për Bashkinë Tiranë, e cila jo vetëm do të mundësojë përmirësimin e transformimit urban të kryeqytetit por do të kontribuoje drejtpërdrejt në përfitimin ekonomik të Bashkisë Tirane nga zhvillimi i aseteve të pashfrytëzuara dhe të papërdorshme në mënyra të tjera, përfitime të tilla si në sipërfaqe ndertimi, minimalisht në të njëjtën trajte dhe mënyrë si edhe përfitimet që do të jenë nga pronaret e parcelave private kufitare, të dhëna për zhvillim”, vijon relacioni. Bazuar në legjislacionin e planifikimit të territorit në fuqi, konkretisht në Rregulloren e Planifikimit të miratuar me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. l , date 14.04.2017 “Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, Bashkia Tiranë”, në nenin 39, parashikohen rastet ku mbi pronat me përdorim publik është e mundur të delegohen të drejta zhvillimi proporcionalisht të barabarta me të gjitha pronat private, pjesë të zonave të zhvillimit. Në kuptim të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, “E drejta për zhvillim”, eshte e drejta ligjore për të zhvilluar një parcelë dhe/ose një zonë, në përputhje me dokumentet e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit. E drejta për zhvillim është e dallueshme nga e drejta e pronësisë dhe jepet nga autoriteti vendor i planifikimit, që ka kompetencën për të rregulluar përdorimin e tokes në juridiksionin e tij, në përputhje me përcaktimet ligjore në fuqi. Të drejtat për zhvillim mund të mbahen nga pronari i tokës, të shkëmbehen ose të shiten.

 

Si persona juridik , njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Pra, Bashkia Tirane, thuhet në relacion bazuar në parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, nenit 9, pika 1.2, ushtron të drejtën e pronësisë, duke ushtruar të drejten për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet në pronësi të saj, brenda kufijve të caktuara nga ligji. Ne rastin konkret, në cilësine e pronarit të sipërfaqeve të caktuara të parcelave, Bashkia Tiranë, mund të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me palë private që janë duke zhvilluar ose do te zhvillojnë parcelat kufitare, duke vlerësuar sipas rastit shkëmbimin apo një tjetër transaksion në lidhje me të drejten e zhvillimit të kësaj prone, duke mbajtur parasysh në çdo rast ruajtjen dhe garantimin e interesit publik, ruajtjen dhe rritjen e vleres ekonomike të pronës sipas parimit të dobishmërisë më të madhe publike.

 

Bashkia e Tiranës posedon një numër të madh pasurish të paluajtshme, ku një pjese e tyre kanë nisur te degradohen dhe jo vetëm që nuk i shërbejnë komunitetit dhe intcresit publik te qytetit dhe qytetarëve, por janë kthyer një potencial rreziku për jetën e tyre, për shkak te amortizimit te madh që kanë pësuar nder vite. Pavaresisht faktit se Bashkia e Tiranes është pronarja me e madhe në qytet, për cdo vit buxhetor ka një fature financiare tejet te konsiderueshme në lidhje me programet sociale që ajo ofron ne ndihme të qytetareve që e kanë të pamundur që të sigurojnë një ambient banimi për vetë dhe familjen e tyre, sipas kushteve te tregut. Hyrja ne këtë marrëdhënie kontraktuale me zhvilluesit privat, ne ato prona ofrojnë një potencial zhvillimi në kuadër të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në favor te Bashkisë së Tiranës, është një mjet i mire që këto sipërfaqeve më pas të vendosen ne dispozicion te programeve sociale dhe plotësimit të nevojave të Bashkise Tiranë për ambiente”, thuhet në relacion./Monitor


Më të lexuarat