Secondary Adv

Turizmi dentar – Shqiperia vend potencial me cmime 4-5 here me lire

Turizmi dentar është një pjesë e turizmit në tërësi i cili edhe pse nuk është i organizuar, po lulëzon vitet e fundit.

 

Sipas studimeve të bëra nga vetë stomatologët, turizmi dentar zë rreth 4% të volumit të punës së klinikave dentare në vend. Për të nxitur turizmin dentar vetë stomatologët merren me hartimin e paketave turistike për pacientët që vijnë nga jashtë, të joshur nga çmimet e ulta e në të njëjtën kohë edhe nga bukuritë e Shqipërisë.

 

Më parë, ky shërbim merrej në Kroaci, por pas shtrenjtimit të çmimeve, atje pacientët filluan të dynden drejt Shqipërisë. Sipas të dhënave nga vetë stomatologët edhe vendet me të cilat kufizohet Shqipëria kanë pothuajse çmime të ulta, por në vendin tonë këto çmime janë ende më lirë. Konkretisht klinikat dentare në Shkodër janë konkurrente të mëdha të klinikave dentare në Ulqin. Çmimet në klinikat dentare në Shqipëri janë rreth 4-5 herë më lirë se në vendet e tjera.

 

Për shembull, nëse në Itali për një mbushje dhëmbi apo dhëmballe, duhet të paguash 250 euro, në Greqi të kërkojnë 180 euro, në Angli 300 paund, në Amerikë 400 dollarë, në Shqipëri një mbushje dhëmbi paguhet mesatarisht 15-35 euro. Referuar çmimeve që klinikat dentare aplikojnë në fluksin e turizmit dentar vendosen  nga vetë ato duke qenë se nuk kemi rregullim me  ligj për këtë. Disa klinika punojnë me të njëjtën listë çmimesh e të tjera përdorin një listë të dytë duke rritur deri në 50% çmimet.

 

Pavarësisht kësaj përftimet që kanë klinikat dentare gjatë kësaj periudhe janë të konsiderueshme, por ende nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me turizmin dentar në vendin tonë. Ndërkohë nga Ministria e Turizmit dhe Ministria e Shëndetësisë  pritet që të hartohet një plan konkret për nxitjen e turizmit dentar në vendin tonë në mënyrë që të ketë një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit./Scan


Më të lexuarat