Secondary Adv

Pagesa e papunesise – Fondi i shperndare gjate vitit 2017, me i uleti ne 20 vjet

Rreth 536 milion lekë kanë shkuar si pagesë papunësie gjatë vitit 2017, fond ky i cili është përgjysmuar krahasimisht me vitin 2016, që ka qenë në vlerën e 1 miliardë lekëve.

 

Sipas të dhënave zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, vihet re se vitin që kaloi ka rënë numri i të trajtuarve me pagesë papunësie, në 2 mijë persona nga 3700 që kanë përfituar në 2016-ën. Numri i personave që kanë përfituar këtë pagesë është më i ulti që nga viti 2000, ku dhe regjistrohet numri më i lartë i të trajtuarve me asistencë sociale në rreth 21.900 persona. Numri i përfituesve ka pësuar rënie progresive nga viti në vit. Ndërsa fondi për pagesën e papunësisë është më i ulti në 20 vjet dhe fondi më i lartë ka qenë në vitin 1998 në 1.6 miliardë lekë. Por megjithëse vihet re se fondi është më i ulti ndër vite, kjo nuk korrespondon me nivelin e papunësisë në tërësi e cila gjatë vitit që lamë pas u regjistrua në 13.6 për qind nga 14.7 në 2016. Shifrat nxjerrin në pah se nivel më të ulët papunësie ka pasur në periudhën 2007-2012, përjashto këtu vitin 2009, dhe pagesa e papunësisë ka qenë në nivel shumë më të lartë, madje në 2012-ën ka arritur në 1 miliardë lekë, kur është regjistruar dhe papunësia më e ulët historike në 12.8 për qind.

 

Ne mars të 2016 u bene ndryshime në paketën e programit të pagesës së papunësisë, të cilat synuan të rrisin nivelin bazë të së ardhurës nga papunësia, nga 6850 lekë në muaj ne 11.000 lekë në muaj ose 62%. Përfaqësues zyrtar të Shërbimit Kombëtar të Punësimit bëjnë me dije për TV SCAN se numri i përfituesve të pagesës së papunësisë ka ardhur duke u ulur në tre vitet e fundit, si rezultat efekteve pozitive që erdhën nga ndryshimet e bazës ligjore si dhe të iniciativave që janë ndërmarrë për riintegrimin e tyre ne tregun e punës, duke iu ofruar oferta pune të përshtatshme. Sipas këtij institucioni, rreth 20 për qind e individëve që pretendojnë të trajtohen me pagesë papunësie, ju ofrohen vende të lira pune duke realizuar direkt punësimin e tyre pa kaluar ne përfitim sipas skemës./Scan


Më të lexuarat