Secondary Adv

KESH do te nise zyrtarisht procedurat per rritjen e cmimit te energjise

 

Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) ka autorizuar kompaninë shtetërore të prodhimit të energjisë, KESH të fillojë procedurat për përcaktimin e tarifës të prodhimit të energjisë elektrike, vendim që ka hyrë në fuqi në 27 nëntor.


Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, në mbështetje të neneve 9 dhe 26 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, neneve 18, 20 dhe 21 të Rregullave të Praktikës dhe Procedurave të ERE-s, miratuar me vendimin e Bordit të Komisionerëve të ERE-s nr. 21, datë 18.3.2009, vendimit nr. 77, datë 26.6.2008, “Për miratimin e metodologjisë së llogaritjes se tarifës për kompaninë publike të gjenerimit të energjisë elektrike”, Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në mbledhjen e tij të datës 7.11.2014, pasi shqyrtoi aplikimin e KESH sh.a. për përcaktimin e tarifës për prodhimin e energjisë elektrike për vitin 2015 dhe relacionin e grupit të punës, konstatoi se:


Aplikimi plotëson kryesisht kërkesat e përcaktuara në rregullat e ERE-s, për fillimin e procedurave të shqyrtimit të aplikimit për përcaktimin e tarifës për prodhimin e energjisë elektrike nga KESH sh.a.
Për gjithë sa më sipër Bordi i Komisionerëve të ERE-s VENDOSI fFillimin e procedurave për përcaktimin e tarifës të prodhimit të energjisë elektrike nga KESH sh.a. për vitin 2015. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë. Enti ka miratuar gjithashtu fillimin e procedurave për përcaktimin e tarifës të energjisë elektrike për aktivitetin e furnizimit publik me shumicë për vitin 2015.


Arsyet pse kërkohet rritja e çmimit
Pak javë më parë Korporata Elektro Energjetike Shqiptare i ka bërë kërkesë pranë Entit Rregullator të Energjisë, për rritjen e tarifës së energjisë, që ky institucion i shet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
KESH ka kërkuar që çmimi të rritet nga 2.2 lekë/kwh, në 3.4 lekë/kwh, një shtrenjtim prej 54%. Shkaku kryesor është detyrimi ligjor për të blerë energjinë e prodhuar nga hidrocentralet private dhe KESH po përballet aktualisht me rritje progresive të prodhimit të energjisë.
Sasia e energjisë për t’u prodhuar nga këto HEC-e ka qenë llogaritur në 778 gigavat për të tre vitet e periudhës rregullatore 2012-2014. Mirëpo sasia reale e energjisë së prodhuar nga këto impiante private dhe qe KESH është detyruar të blejë pritet të jetë 1.569 gigavat. Kjo i ka shkaktuar Korporatës Elektroenergjetike një kosto financiare prej 11 miliardë lekësh.


Një tjetër arsye pse KESH kërkon rritjen e tarifes është detyrimi nëpërmjet një vendimi të qeverisë së mëparshme për të siguruar import energjie për të mbuluar humbjet e ish kompanisë CEZ. Blerja e energjisë për llogari të çekëve i ka kushtuar korporatës 8.5 miliardë lekë, para që KESH i ka marrë kredi në banka, përdorimi i të cilave ka prodhuar detyrime shtesë për interesa me rreth 2.6 miliardë lekë./Monitor


Më të lexuarat