Secondary Adv

OSHEE hap tenderin per 22 mije matesa elektronike: Eliminojne nevojen e leximit ne terren

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur procedurat për blerjen e rreth 22 mijë matësave të rinj elektronikë.

 

Për sahatët e rinj, OSHEE ka vënë në dispozicion një fond limit prej rreth 200 milionë lekësh. 10 mijë copë do të jenë matës njëfazorë, ndërsa 12,600 matësit e tjerë do të jenë trefazorë, por të ndarë sipas specifikimeve të rrymës. Blerja e matësave është një procedurë e zakonshme nga OSHEE, për shkak se nevojiten për të pajisur abonentët e rinj, ata që nuk kanë matës, apo për të zëvendësuar matësit e dëmtuar. Megjithatë, ajo që ndryshon kësaj radhe është se sahatët e rinj do të jenë elektronikë dhe jo analog apo elektromagnetikë me shirit që përdor pjesa më e madhe e familjeve dhe bizneseve. Këta matës janë me bateri dhe kanë një ekran LCD që tregon sasinë e energjisë së konsumuar. Mbi të gjitha, matësit do të ofrojnë opsionin e leximit të sahatit nga ofruesi i shërbimit, pa pasur nevojë të dërgojnë një faturist në terren. Kjo bëhet përmes lidhjes me portën e rrjetit dhe të dhënat nga çdo matës dërgohen automatikisht çdo 15 minuta. Por bëhet fjalë për vetëm 22 mijë matës, krahasuar me qindra mijëra shtëpi dhe biznese në vend. Kjo do të thotë se profesioni i faturistit do të jetë i nevojshëm edhe për disa vite të tjera./Scan


Më të lexuarat