Secondary Adv

Kryebashkiaku Veliaj prezanton projektet e reja per Tiranen

Bashkia e Tiranës do të nisë një sërë investimesh të rëndësishme, që kanë të bëjnë kryesisht me transportin dhe sistemimin e disa prej hyrjeve dhe akseve kryesore në qytet.

 

Vera që vjen do ta gjejë Tiranën një kantier të vërtetë të punëve infrastrukturore. I ftuar në emisionin “Tonight nga Ilva Tare”, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se këtë verë do të nisin punimet për mbikalimin tek sheshi “Shqiponja”. Ndërkohë, puna do të vijojë edhe me Unazën e Madhe të Tiranës që fillon në cep të Bulevardit të Ri dhe vazhdon pastaj në Tufinë, rrëzë të Dajtit, del në Shkozë dhe bashkohet në Farkë. Veliaj dha lajmin e mirë edhe për mijëra banorë të zonave të reja në kryeqytet se, tashmë që kanë marrë zgjidhje projektet në qendër, një fokus më i madh do të jetë në Tiranën periurbane, si Fresku, Liqeni i Thatë, Astiri.

 

“Besoj që një pjesë e madhe që vjen nga ndotja e trafikut do të reduktohet, me mbikalimin tek ‘Shqiponja’. Zhbllokimi i këtij segmenti që fillon këtë verë, Unaza e Madhe e Tiranës që fillon në cep të Bulevardit të Ri dhe vazhdon pastaj në Tufinë, rrëzë të Dajtit, del në Shkozë dhe bashkohet në Farkë, besoj se shumë prej atyre që vijnë deri në qendër për të shkuar në një periferi tjetër i jep një By-pass”, – tha Veliaj, ndërsa shtoi se, nuk duhet të harrojmë se në Tiranë vijnë çdo vit, 25-30 mijë vetë, shiten 6-7 mijë apartamente. Veliaj u shpreh optimist për fluksin e të rinjve që vijnë në Tiranë jo vetëm nga rrethet e vendit, por edhe nga Kosova dhe nuk kthehen mbrapsht. 

 

“Kemi shumë të rinj që vijnë nga Presheva dhe nuk kthehen. 9 nga 10 studentë që vijnë nga qytete të tjera të Shqipërisë që tani e di, që nuk do të kthehen më nga kanë ardhur. Unë e shoh me optimizëm. Për sa kohë nuk e ndryshoj dot, të jem të paktën optimist dhe them Tiranën e mban të re. Mosha mesatare e Tiranës është 27 vjeç. Jemi kryeqyteti më i ri në Europë. Qytetin e mban me një kampion talenti konstant”, – tha ai. Për çështjen e furnizimit me ujë kryebashkiaku deklaroi se, “po përgatitemi të fillojmë në disa fronte investimet.

 

Tubacioni i madh që sjell ujë nga Bovilla në zonën e Astirit, që deri dje kanë qenë me puset e famshme të Laknasit dhe të Bërxullit, nuk mund të vazhdojnë më me puse. Ishte me puse kur ishte fshat. Aty u dhanë leje pafundësisht nga komuna pa çuar rrjete ujësjellësi. Përveç aksit kryesor, kemi edhe bulevardin kryesor të Kasharit dhe Astirit. Tani që u mbaruan punët e mëdha, fokusi më i madh i do të jetë Tirana periurbane, si Fresku, Liqeni i Thatë, Astiri dhe që ka ardhur koha të investojmë fuqishëm aty./ata


Më të lexuarat