Secondary Adv

Furnizimi me uje, nis faza e pare e investimeve me BERZH – Veliaj: Brenda 5 viteve, uje 24 ore

Ka nisur faza e parë e investimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës. 

 

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë vizitës një ditore në Stokholm, ku mori pjesë në konferencën e organizuar nga BERZH. Sipas Veliajt, kjo fazë përfshin po ashtu edhe vendosjen e linjave të transmetimit nga Bovilla drejt Astirit, Unazës së re. Ndërkohë, shtoi se brenda pesë viteve Tirana do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë. “Kemi nisur fazën e parë të investimeve me BERZH-in, që përkthehet në dyfishim të kapacitetit të Bovillës, si edhe vendosjen e linjave të transmetimit nga Bovilla drejt Astirit, Unazës së Re, që kanë qenë zonat më problematike të Tiranës, kryesisht të furnizuara me ujë pusi, por që tani janë rritur tej mase në popullsi. Jemi gati të propozojmë një paketë të dytë për UKT-në. Ambicia jonë është që brenda 5 viteve, nga fillimi i këtyre investimeve, të kemi ujë 24 orë në Tiranë”, tha Veliaj. 

 

Ndërkohë, me qëllim plotësimin e nevojave të qytetarëve me ujë të pijshëm, krybashkiaku paraqiti gjithashtu një propozim konkret që lidhet me shfrytëzimin e burimeve ujore nga burimi i Gurit të Bardhë. “Propozimi tjetër ka të bëjë jo vetëm me rrjetin në zonën e Yzberishtit, por edhe me burimin e ri të Gurit të Bardhë, i cili do të sjellë në Tiranë një sasi të konsiderueshme uji, sidomos për Njësitë 1 dhe 2, të cilat aktualisht furnizohen vetëm nga Selita dhe burimet e Dajtit”, shtoi Veliaj. Po ashtu, shprehu bindjen se nuk do të mungojnë financimet, pasi sipas tij Bashkia e Tiranës është cilësuar si një nga bashkitë me performancën më të lartë financiare. Ndërkohë, krahas investimit të BERZH, Tirana ka edhe një masterplan të ri në kuadër të furnizimit me ujë të pijshëm dhe zgjerimit të ujësjellësve, ku ndërhyrjet e para të këtij projekti janë parashikuar të bëhen në Shkozë, në zonën e “Ali Demit”./Scan


Më të lexuarat