Secondary Adv

Koncesioni i rruges Orikum-Himare, “Gjikuria” bonus 6 peqind, projekti parashikon edhe tunel

Projekti 1 miliardë euro i deklaruar nga qeveria dhe që do të përfshijë një seri veprash të rëndësishme infrastrukturore duket se po avancon sa i përket  numrit të projekteve të miratuara. 

 

Një i tillë duket se është edhe ai që lidhet me Porti i Jahteve-Bypass Orikum-Dukat për  të cilën qeveria ka shpërblyer me një bonus 6 për qind kompaninë Gjikuria. Kjo do të thotë që qeveria do të hapë një garë normale për kalimin e kësaj procedure me koncesion/ partneritet publik privat, por Gjikuria SH.P.K do të jetë në avancë me 6 për qind të pikëve si rezultat i propozimit të pakërkuar të paraqitur prej saj pranë Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë. Në muajin maj ministri Damian Gjiknuri prezantoi gjatë një takimi në qytetin e Vlorës në kuadër të llogaridhënies edhe projektin Orikum-Himarë si pjesë e paketës “1 miliard për rindërtim”. Projekti ka lidhje me Byspasin e Vlorës, kalon paralel me Dukatin e Ri, përshkon gjithë zonën e Dukatit për t’u lidhur me një tunel. Në fillim të vitit u bë edhe prezantimi i disa prej projekteve kryesore që do të ndërtohen përmes kontratave PPP. Të tilla janë: Kasharr-Rrogozhinë, Tiranë-Thumanë-Vorë, Rruga e Arbrit, Milot-Balldren, Orikum-Himarë, Kardhiq-Delvinë, Spitali rajonal Fier, Shkolla Publike Tiranë. Një pjesë e këtyre veprave tashmë kanë kaluar fazën e garës dhe kanë hyrë në zbatim siç ishte ajo e Rrugës së Arbrit, e nisur vetëm pak ditë më parë për zbatim.

 

Skema e financimeve

Sipas skemës që ka zbardhur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, sipërmarrësit, që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve, duhet të financojnë 20 për qind të vlerës së projektit nga kapitalet e veta. Ministria ka shpjeguar se buxheti i shtetit do të nisë të shlyejë investitorët vetëm, pasi të jetë bërë 50 për qind e investimit, por këto hollësi do të jenë të sqaruara në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet. Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhë 10-15-vjeçare. Ndërtuesit e kontaktuar nga ‘Monitor’ e kanë mirëpritur nismën e qeverisë. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve, pohon se nëpërmjet kësaj forme qeveria do të plotësojë nevojat infrastrukturore të vendit, ndërsa kompanitë e ndërtimit do të mund të aktivizojnë fondet e të lira në këto projekte. Bankat gjithashtu do të kenë një front të ri kreditimi më të sigurt, duke qenë se garant në këto projekte është qeveria. Mirëpo sipas ndërtueseve që skema të mos jetë me rrezik duhet që qeveria të lëshojë garanci sovrane për kompanitë që do të ndërtojnë objekte me kredi bankare./Monitor


Më të lexuarat