Secondary Adv

Pazari i Ri merr cmimin si projekti me i mire per 2018-n ne Londer

Pazari i Ri i Tiranës fitoi dje çmimin si projekti i Rinovimit 2018 nga “Emerging Europe Awards” (EEA) në Londër, një nismë unike që shpërblen praktikat më të mira në Europën Lindore. 

 

Ky çmim vjen dy ditë pas vlerësimit që iu bë në Barcelonë sheshit “Skënderbej”, si hapësira më e mirë publike në Europë për 2018. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, falenderoi jurinë për vlerësimin e projektit të rehabilitimit të Pazarit të ri, i cili nga një ngrehinë e rrënuar, në një kohë të shkurtër, u transformua në një nga pikat më tërheqëse turistike të kryeqytetit, duke ofruar një shumëllojshmëri aktivitetesh ekonomike e kulturore. Mazniku u shpreh i kënaqur për këtë çmim prestigjoz, një shembull fantastik se si Pazari i Ri është kthyer në një pikë të re dhe kumbuese për Tiranën. “Për ne Shqiptarët është inkurajuese që patëm në listën e shkurtër dy projekte, përfshirë edhe ‘Pazarin e Korçës’, një tregues i qartë se programi i Rilindjes Urbane ka dhënë efekte madhore në rivitalizimin e qyteteve tona”, u shpreh Mazniku, pas tërheqjes së çmimit. 

 

Pazari i Ri u përzgjodh fitues pas konkurrencës së fortë me nëntë kandidatë të tjerë, si qendra historike e Timishoarës, salla e tregut 100-vjeçar të Varshavës “Koszyki”, sheshi Mynta në Lviv (Ukrainë) etj. Juria profesioniste ndërkombëtare veçoi se Pazari i Ri ka pësuar ndryshime pozitive, duke bërë që, nga një zonë e lënë pasdore për vite me radhë, u shndërrua në një simbol i jetës urbane dhe destinacion me vlerë tregtare, kulturore si dhe një treg “hip”. Gjithashtu, juria vlerësoi ndërthurjen e trashëgimisë kulturore me arkitekturën moderne të Pazarit të Ri, ku shumë nga elementët tradicionalë të qytetit të vjetër janë ruajtur, ndërsa sheshi është rifreskuar me një çati mbresëlënëse prej çeliku dhe qelqi. Pazari i Ri u konsiderua edhe si një model inovativ i biznesit, pasi është një qendër tregtare që përfshin 308 biznese dhe siguron 1,007 vende pune./Shqip


Më të lexuarat