Secondary Adv

1 milion turiste te huaj ne Korrik - Sezoni veror, deri tani rritje me 17 per qind

Share on Google+

Gjatë muajit Korrik të këtij viti, në Shqipëri kanë hyrë mbi 1 milion turistë të huaj, apo rreth 150 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë. Shifrat janë bërë të ditura nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve të përfshira direkt në mbarëvajtjen e sezonit turistik.



Rritja e turizmit është shtirë edhe në sektorin e transportit ajror, ku gjatë muajit Korrik aeroporti i Rinasit ka pritur mbi 192 mijë shtetas të huaj, për një rritje vjetore mbi 30%

“Për periudhën Qershor-Korrik 2017 rritja e vizitorëve të huaj ishte vetëm 8%. Ndërkohë që për periduhën Qershor-Korrik 2018 kemi një rritje 17% krahasuar me një vit më parë”, deklaroi ministri.

Sipas ministrit, meritën për këto arritje e ka puna e nisur për sezonin veror qysh në nëntor të 2017-ës, ndërsa ai u shpreh se ky do të jetë viti i kthesës për turizmin shqiptar. Gjatë fjalës së tij, Klosi shtoi se turistët janë mjaft të kënaqur nga vizita e tyre në vend.

“Nga turistët që kanë hyrë në Shqipëri për herë të parë 85% deklarojnë dëshirën e tyre për t’u rikthyer. Ndërsa 92% e tyre shprehen se do të rekomandojmë Shqipërinë për destinacionet e miqve të tyre vitet e ardhshme”, u shpreh ministri.

Klosi u kërkoi një përkushtim të veçantë dhe bashkëpunimin e përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe institucioneve të tjera të lidhura me turizmin.

A.H./SCAN


Më të lexuarat