Secondary Adv

Kryebashkiaku Veliaj thirrje banoreve: Regjistrohuni me vendbanimin e sakte

Bashkia e Tiranës po vijon me punën në terren, ndërsa këtë herë është ndalur në njësinë bashkiake nr.5. 

 

Ndërhyrja për rikonstruksionin e rrugëve të bllokut të kufizuar nga rrugët “Hamdi Pepa”, “Ilia Dilo Sheperi”, “Visarion Xhuvani”, “Leka i Madh”, ka zgjidhur problemin shumëvjeçar të mungesës së infrastrukturës për banorët e kësaj zone, të ardhur kryesisht pas viteve ‘90. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa inspektoi nga afër punimet tha se: “Rikthehemi në një zonë totalisht të transformuar. Këtu projekti nuk është vetëm logjistik: asfalt, llaç e tulla, por edhe pak në mentalitet. Kemi bashkuar energjitë: qeveria bën legalizimin, kurse bashkia urbanizimin. Pa legalizim nuk ka urbanizim; pra, është shumë e rëndësishme që fillimisht banorët të marrin hipotekën dhe në fund, pasi të kanë marrë pronën, ne ndërhyjmë në gjithë rrjetin rrugor, kanalizime dhe ndriçim”. Teksa u bëri apel banorëve të bllokut të mirëmbajnë investimin e kryer, kryebashkiaku ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave, të cilat pengojnë projektet zhvilluese. 

 

“Dua të falenderoj, së pari banorët që kanë lënë pak nga territori i tyre i sapolegalizuar për t’ia dhënë bashkisë për trotuaret. Qytetarët duhet të kuptojnë se në fakt trotuari nuk është i bashkisë, por një barrierë sigurie për ata dhe fëmijët e tyre. Kur kemi ardhur këtu ka qenë një monopat i ngjashëm me një shteg dhish dhe rrëketë e lumenjve që vinin nga kodrat. Sot është dita me natën”, nënvizoi Veliaj. Mes të tjerash Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të regjistrojnë adresën e saktë të vendbanimit, në mënyrë që zona të përfitojë nga shpërndarja më e mirë e fondeve dhe e investimeve. “I ftoj banorët të vijojnë me regjistrimin në zonë. Sot janë të gjithë qytetarë të Tiranës dhe duhet të regjistrohen këtu. Fakti që marrim taksa nga pjesa e vjetër e Njësisë 5 për t’i sjellë në zona ku vetëm së fundi, pas legalizimit, ka filluar të paguhet pak taksë prone, do të thotë se automatikisht Bashkia e Tiranës i ka privilegjuar. Tani ka ardhur koha që edhe ata të sillen si qytetarë të Tiranës dhe të bëhen pjesë e kësaj bashkësie që paguan diçka modeste, por në fund fare kontribuon në të mirën e përbashkët”, tha ai./Ballkanweb


Më të lexuarat