Secondary Adv

Kodi i ri rrugor, gati sistemi i patentave me pike

Me Kodin e ri Rrugor do t'i hapet rrugë sistemit të pikëzimit të patentave. Kështu ka paralajmëruar në seancën e djeshme plenare ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.


Nga foltorja e Kuvendit lidhur me ndryshimet në Kodin Rrugor, Haxhinasto theksoi se do të vendoset sistemi i pikëzimit të lejeve të drejtimit, që do të sjellë përgjegjësi më të madhe nga ana e drejtuesve të automjeteve.
Ministri Haxhinasto vuri në dukje se parashikohet të përmirësohet më tej edhe teknologjia e informacionit, për ta bërë procesin e marrjes së lejes së drejtimit në mënyrë të pa manipulueshme. Gjithashtu, ministri kujtoi detyrimin për të mbajtur në makinë ndenjësen e posaçme të fëmijëve. “Kodi ka vendosur si kërkesë të domosdoshme përdorimin e ndenjëseve të posaçme për fëmijët. Nga dita që Kodi hyn në fuqi, fëmijët duhet të trajtohen në mënyrë të posaçme për sa kohë do të qëndrojnë në automjet”, deklaroi Haxhinasto.


Ai informoi po ashtu se, Kodi parashikon shtim të penaliteteve për të gjithë ata që ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në rrugë. “Ka një ndikim të jashtëzakonshëm në amortizimin e vlerës së rrugës dhe në shtimin e aksidenteve, çdo ndërhyrje e paligjshme. Edhe vendosja e reklamave do të jetë e kontrolluar”, tha Haxhinasto.
Ministri foli edhe për propozimin e disa deputetëve, për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve nga distributorët ligjor të automjeteve. Haxhinastoi deklaroi se ky shërbim realizohet nga një kontratë koncensionare nga kompania SGS. Sipas ministrit, përpara se të ndërhyjmë në kontratën e këtij koncensionari duhet të shikojmë zbatimin e kontratës që kemi me këtë kompani, pasi kompania ka ekskluzivitetin e këtij shërbimi. “Çdo ndërhyrje do të ishte konflikt ligjor me këtë kontratë që ka vlerat e ligjit”, tha ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto.


Më të lexuarat