Secondary Adv

Prokurimet e energjise, biznesi miliona euro


Ankandet e energjisë elektrike që organizon çdo muaj Operatori i Shpërndarjes janë kthyer një kosto e madhe për buxhetin dhe një burim i mirë fitimesh të lehta për firmat pjesëmarrëse. Dhjetëra miliona euro janë të ardhurat që sigurojnë kompanitë që sjellin energjinë në Shqipëri, në një treg që luhatet nga 150 në 200 milionë euro në vit, në varësi të nivelit të humbjeve teknike dhe vjedhjeve të energjisë.

 

Që nga koha kur u privatizuar operatori i shpërndarjes së energjisë nga CEZ në vitin 2008 e më pas kur administrimi u bë publik publik pas heqjes së licencës për çekët në janar 2013, blerja e energjisë për mbulimin e humbjeve bëhet nga importi dhe me çmime të kripura. Në fund të çdo muaji OSHEE lançon procedurën e blerjes së energjisë për muajin pasardhës dhe pas paraqitjes së ofertave fillestare nga firmat hyn në një proces negociatash deri në konkludimin e çmimeve.


Këto negociata bëhen në mënyrë individuale me çdo ofertues dhe jo në transparencë siç organizoheshin dikur nga KESH me lapës, shkumës e tabelë, ku shkruheshin të gjitha ofertat dhe në prani të medias në një proces të plotë transparence. Aktualisht ky proces bëhet mbi bazën e një rregulloreje të KESH-it dhe për OSHEE-në nuk ka një rregullore të posaçme për ankandin mujor të blerjes së energjisë elektrike.
Numri i firmave pjesëmarrëse në ankandet transparente të KESH, në kohën kur kishte dhe funksionin e shpërndarjes ishte i konsiderueshëm, ndërkohë që tregu sapo vjen dhe monopolizohet nga dy-tre firma kryesore, emrat e të cilave janë gjithmonë në listën e fituesve, madje me çmime më të larta se të firmave të tjera. Parimet e organizimit të një ankandi kur kërkon ofertën më të mirë do kërkonin transparencë maksimale të procedurës, hapjen direkt të ofertave në prani të Komisionit dhe gjithë ofruesve dhe pas renditjes së ofertave me çmimet dhe sasitë përkatëse të hapej gara për të marrë çmimin më të mirë dhe për të plotësuar kërkesën.


Në formë dhe përmbajtje të ngjashme me këto parime kanë qenë edhe rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës në vendimin 334 të tetorit të këtij viti, kur shprehet që “pranimi, vlerësimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve, duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve”. Sipas vendimit të publikuar mënyra e përcaktimit të ofertës fituese të përshtatet sipas rregullores së Ministrisë së Financave “Për emetimin e obligacioneve”, “kërkesat konkurruese pranohen si fituese, duke filluar nga ato që kanë çmimin më të ulët deri në plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar”.


Kjo formë e organizimit të ankandeve do ta bënte tregun më konkurrues, do të rriste numrin e pjesëmarrësve në këto ankande dhe për OSHEE dhe buxhetin e shtetit që detyrohet të subvencionojë blerjen e energjisë, do të sillte çmime më të ulëta. Po realisht, a janë OSHEE dhe ERE të interesuara për këtë transparencë?!


Rritja e sasisë në ofertë rrit dhe çmimin?
Rezultatet e ankandeve të OSHEE kanë përmbysur edhe parimet e ekonomisë, sasitë më të mëdha të energjisë blihen me çmim më të lartë, madje me diferenca të konsiderueshme deri në 10% mes çmimeve të firmave fituese. Për shembull, në ankandin për gushtin, kompania me çmimin më të lartë të energjisë 50.75 euro/MWh ka kontraktuar sasinë më të madhe 84816 MWh, ndërkohë që fituesi me çmimin më të ulët, Gen-I ka kontraktuar vetëm 37200 MWh. Nëse llogarisim dëmin e shkaktuar nga diferencat mes ofertës më të shtrenjtë me atë më të lirë dhe ta shumëzojmë me sasinë e ofertës më të shtrenjtë, rezulton se arrin në rreth 284 mijë euro.
Shifrat bëhen më skandaloze në ankandin e fundit për blerjen e energjisë për muajin dhjetor 2014. Nëse krahasojmë çmimin e fituesit Gen-I Tirana prej 52.54 euro/MWh me GSA sh.p.k., e cila ka fituar me çmimin 58.15 euro/MWh diferenca është 5.61 euro, ndërsa me EFT që ka fituar me çmimin 57.75 euro/MWh, diferenca është 5.21 euro ose rreth 10%. Kjo diferencë është e konsiderueshme po të kemi parasysh sasitë e mëdha të kontraktuara nga këto dy kompani.


Ankandet e vitit 2014, çmimet dhe ndarja e tregut
“Loja” mes dy kompanive me sasitë dhe çmimet, diferenca 5-8 euro mes ofruesve që i kanë shkaktuar kompanisë së shpërndarjes miliona euro që kanë shkuar si “fitime të lehta” për importuesit e energjisë. Nga faqja e internetit të OSHEE arrin të shohësh ofertat fituese për periudhën mars–dhjetor 2014, nga ku rezulton se fitues të përhershëm, me çmime thuajse të njëjta dhe thuajse gjithmonë më të larta se kompanitë e tjera, janë EFT dhe GSA, njëra kompani zvicerane dhe tjetra shqiptare(sh.p.k.).


Mars

Në muajin mars 2014 këto dy kompani kanë fituar thuajse gjithë sasinë që kërkonte OSHEE për mbulimin e humbjeve, rreth 285 mijë MWh në një vlerë rreth 15.8 milionë euro. EFT ka marrë 68% të tregut ose rreth 10.8 milionë euro kontratë, ndërsa GSA më shumë se 4.9 milionë euro, duke i lënë Gen-I vetëm 207 mijë euro.


Prill

Gjatë muajit prill 2014, në listën e fituesve shtohet edhe AXPO, për një vlerë modeste prej 178 mijë euro, krahasuar me 3.42 milionë euro energji të EFT-së dhe 2.15 milionë euro energji të kontraktuar nga GSA. Në këtë ankand ka një rritje të fuqishme Gen-I i Tiranës pasi ka ofruar një çmim rreth 3.3 euro për MWh më të lirë se dy kompanitë kryesore dhe ka kontraktuar rreth 3.36 milionë euro. Nëse ankandi do të ishte zhvilluar i hapur dhe në prani të ofruesve, çmimet e EFT-së dhe GSA mund të zbrisnin disa shkallë për të konkurruar me Gen-I ku dhe kostot e blerjes do të përafroheshin ndjeshëm. Nga një llogaritje e thjeshtë rezulton se, nëse EFT do të kishte nënshkruar kontratën me çmimet e Gen-I, diferenca do të ishte rreth 227 mijë euro kursim për kompaninë e shpërndarjes dhe buxhetin e shtetit. Në fakt s’ka ndodhur kështu, këto para janë arkëtuar nga firma fituese sipas çmimit të kontratës dhe ky vit po mbyllet me këto procedura.


Maj

Në muajin maj, tregu ndahet përsëri mes tre kompanive Gen-I dhe EFT, por kjo e fundit dominon tregun, pasi ka kontraktuar rreth 4.3 milionë euro ose 53% të energjisë së blerë nga OSHEE nga 40% që ka marrë Gen-I. Ndërkohë përsëri vihet re një diferencë e konsiderueshme në çmimet e kontraktuara, rreth 2.03 euro për MWh për EFT dhe 2.13 euro për mega për GSA që në total përbëjnë një diferencë prej 194,890 euro në llogaritë e OSHEE, nëse çmimi do të ishte ai minimal për gjithë sasinë e kontraktuar.


Qershor

Në muajin qershor, torta e energjisë ndahet mes dy kompanive që kishin fituar në të gjitha ankandet paraardhëse, EFT dhe GSA, respektivisht 84 dhe 16% e tregut ose e shprehur në vlerë 7.3 dhe rreth 1.39 milionë euro. Në këtë ankand vihet re se çmimi është thuajse i njëjtë, 48.29 euro për EFT dhe 48.25 euro për GSA me një diferencë vetëm 0.04 euro ose 4 cent të euros.


Korrik

Në muajin korrik, EFT për herë të parë gjatë vitit 2014, nuk shpallet fituese dhe në treg hyn fuqishëm Gen-I me kompanitë e Beogradit dhe të Tiranës me çmime të ulëta 48.9 dhe 48.1 që janë më shumë se tre euro për MWh më të ulëta se të GSA-së. Nëse do të ishte kontraktuar e gjithë sasia me çmimin minimal, atëherë do t’i kursehej shtetit rreth 131 mijë euro, një shifër e konsiderueshme për vetëm një kontratë me një kompani.


Gusht

Në muajin gusht, tregu rishfaq disa fitues, por përsëri ka diferenca në çmime dhe sasi mes kompanive nga 50.75 euro që është çmimi maksimal deri në 47.39 euro ai minimal, me një diferencë për financat e kompanisë 284 mijë euro vetëm për fituesin me çmimin më të shtrenjtë.


Shtator

Në shtator, tregu rikthehet me vetëm dy fitues, përsëri EFT dhe GSA, të cilat kontraktojnë respektivisht 6.14 dhe 1.5 milionë euro, duke e ndarë tregun 80 me 20%.


Tetor

Në muajin tetor rritet numri i fituesve, por edhe diferenca mes çmimeve është e konsiderueshme me rreth 3 euro për MWh që, në total, krijon një tepricë fitimi për firmat me çmimet më të larta rreth 220 mijë euro.

Nentor

Muaji nëntor vjen me rritje çmimi, por edhe me diferenca më të mëdha mes ofertuesve në rreth 8 euro për MWh dhe që krijojnë një diferencë në rreth 800 mijë euro nëse do të ishin kontraktuar me çmimin më të ulët.


Dhjetor

Në muajin dhjetor, EFT dhe GSA kanë dhe pjesën kryesore të tortës prej 14 milionë e 12 mijë e 718 euro pasi respektivisht EFT zotëron 45% të tregut ndërsa GSA rreth 30% të tregut dhe në total rreth 75% të tregut. Kontrata më e madhe është nënshkruar me EFT në shumën 6.444.900 euro, ndërsa me GSA në shumën 4.326.360 euro.


Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë me sasitë fituese, diferenca në rast se çmimi do të ishte sa ai i konkurrentit me çmim më të ulët është rreth 415 mijë euro për GSA dhe rreth 560 mijë euro për EFT, pra në total rreth 1 milion euro janë fitime të pamerituara, për shkak të diferencës në çmim pasi energjia është një produkt krejtësisht homogjen dhe plotësisht i zëvendësueshëm pavarësisht nga natyra e burimit./Monitor


Më të lexuarat