Secondary Adv

Bien te ardhurat nga bashkite: 21.5 perqind renie ne 6 muajt e pare - Deshton taksa nderteses

Pushteti lokal nuk ka arritur të sigurojë më shumë të ardhura në 6 muajt e parë të vitit nga taksat e tarifat. 

 

Sipas të dhënave të publikuara në “Raportin mbi Financat Publike Vendore”, i portalit financatvendore.al, një projekt i Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, të ardhurat nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asetet dhe të tjera) regjistruan në terma nominalë rreth 9.0 miliard lekë. Krahasuar  me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të hyrat buxhetore nga burimet e veta rezultojnë rreth 2.5 miliard lekë më të ulëta ose në rënie me rreth 21.5%. Kjo ecuri e të ardhurave të veta përgjatë periudhës së marrë në analizë u kushtëzua nga performanca relativisht e ulët e të ardhurave nga taksat vendore, të cilat regjistruan një nivel prej rreth 4.7 miliard lekë, në ulje me rreth 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

 

Në të kundërt, të ardhurat nga tarifat vendore ndoqën ecuri pozitive, theksohet në raport. Ngushtimi i të ardhurave nga taksat vendore u përcaktua gjerësisht nga rënia e të hyrave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, pas një rritje të theksuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, u tkurrën me rreth 53.4% në terma vjetorë dhe regjistruan rreth 1.4 miliard lekë. Në nivel bashkie, rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u udhëhoq nga bashkia Tiranë. Gjatë periudhës janar-qershor 2018, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një nivel prej rreth 657.1 milionë lekë nga rreth 2.1 miliard lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të kundërt, bashkia Vlorë rezulton të ketë mbledhur rreth 84 milionë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga një nivel zero në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në bashkitë Vorë dhe Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rezultojnë të jenë thuajse përgjysmuar krahasuar me nivelin e shënuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

 

Taksa e ndërtesës, rënie 36.1%

Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor përfaqësohet nga të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 1.7 miliardë lekë, në rënie me rreth 36.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Tkurrja e të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme u përcaktua nga rënia me rreth 42.6% në terma vjetorë e të ardhurave nga taksa e ndërtesës. Performanca e dobët e regjistruar në të hyrat nga taksa e ndërtesës bie ndesh me pritshmëritë e krijuara në vijim të reformimit rrënjësor të kësaj takse nëpërmjet ligjit nr. 106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa  në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”. Larg nga çfarë synuar, vështirësitë në krijimin e kadastrës fiskale, përcaktimit të vlerës së pronës sipas vendndodhjes,  përcaktimi i një agjenti tatimor etj., vlerësohet të kenë krijuar paqartësi të shtuara për bashkitë, të cilat mund të kenë kontribuar në performancën e kësaj takse gjatë gjysmës së parë të vitit 2018. Njëkohësisht, një pjesë e bashkive kanë vijuar të aplikojnë taksën e ndërtesës sipas metodologjisë së vjetër, deri në  përfundim të periudhës tranzitore për të akomoduar metodologjinë e re me bazë vlerën. Fillim viti 2019  pritet të jetë dhe momenti kur të gjitha bashkitë në vend do të aplikojnë taksën e pronës sipas metodologjisë së re, bazuar në komunikimet në media të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, thuhet në raport. 

 

“Megjithatë, mbetet për tu vlerësuar nëse kemi të bëjmë me vështirësi të përkohshme në zbatimin e metodologjisë së re në lidhje me aplikim e kësaj takse apo me vështirësi strukturore të cilat shkojnë përtej kompetencave të bashkive”. Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore rezultojnë të kenë kontribuar me rreth 307.8 milionë lekë në të ardhurat vendore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, në rritje me rreth 26.3% në terma vjetorë. Në të kundërt, taksa e truallit vijon të rezultojë pa të ardhura të regjistruara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, ashtu sikurse evidentohet dhe në të gjitha periudhat e tjera të marra në shqyrtim. Kjo mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar, dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet. Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 271.5 milionë lekë, me një rritje prej 14.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017. Në terma afatgjatë dhe në vijim të ndryshimeve të ndërmarra, të ardhurat nga kjo taksë vijojnë të ulin në mënyrë progresive kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga burime të veta vendore. Në ndryshim nga ecuria e të ardhurave nga taksat vendore, të ardhurat nga tarifat vendore rezultojnë të jenë rritur në gjysmën e parë të vitit 2018 përkundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Në terma  nominalë, tarifat vendore kontribuan në të ardhurat vendore me rreth 4.2 miliard lekë, në rritje me rreth 5.4% në terma vjetorë./Monitor 


Më të lexuarat