Secondary Adv

MIE hap tender 113.3 mln leke: Rinovohet godina e ish-Ministrise se Transportit dhe Infrastruktures

Godina e ish Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës do të rinovohet së shpejti. 

 

Ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur procedurat e tenderimit për restaurimin e godinës që ndodhet në qendër të qytetit, e cila daton që nga viti 1937. Fondi limit i akorduar për këtë investim kap vlerën e 113.3 milionë lekë, ku për vitin 2018 fondi i vënë në dispozicion është mbi 81.6 milionë lekë. Projekti parashikon ndërhyrjet e nevojshme që do të bëhen kryesisht në drejtim të përforcimit të strukturës së godinës me qëllim përmirësimin e kushteve dhe garantimin e qendrueshmërisë së saj. 

Grafiku i punimeve përfshin restaurimin, adaptimin e zyrave, ambienteve të përbashkëta si dhe rinovimin e pjesës së pasme të fasadës. Ndërhyrjet rehabilituese në fasadat e pjesës së jashtme dhe ato të oborrit të brendshëm do të sjellin në gjendjen e mëparshme pamjet dhe të gjithë elementët arkitektonikë. Po ashtu, do të bëhet instalimi i sistemit të ndriçimit për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë ndërtesën, si dhe do të zgjidhet njëkohësisht edhe problemi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe ai i ngrohje-ftohjes dhe ventilimit përmes instalimit të rrjeteve përkatëse. Punimet për këto ndërhyrje janë planifikuar të përfundojnë në një afat prej 8 muajsh nga nënshkrimi i kontratës me fituesin e garës./Scan 


Më të lexuarat