Secondary Adv

FSHZH hap tender te ri: Ja projekti qe e kthen plazhin e Durresit ne hapesire argetuese publike

FSHZH ka hapur tender për projektimin e zonës së plazhit në Durrës, ku synon të rigjenerojë zonën e plazhit dhe ta kthejë në hapësirë argëtuese e çlodhëse publike.

 

Fondi limit është 41.624.734 (dyzet e një milion e gjashtëqind e njëzet e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër) lekë pa TVSH. Vlera e akorduar për vitin 2018 është 16,666,666.6 Leke pa tvsh. Pjesa e mbetur do të financohet gjatë vitit 2019.

 

Gjendja aktuale

Faza e parë do të përqendrohet te parku qendror tek rezidencat qeveritare, e cila synon rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës urbane e turistike të zonës, si dhe krijimi i ambienteve çlodhëse e kreative. Nga gjendja ekzistuese në këtë zonë mungojnë ambientet kulturore dhe zonat sportive, duke e lënë këtë zonë pa aktivitete për banorët dhe turistët. Zona e projektit ka nevojë të plotësohet me qendra kulturore dhe sportive si kinema, teatër, fusha sportive. 

 

Gjithashtu zona e plazhit është degraduar dhe duhet të rigjenerohet dhe të kthehet në një hapësirë të vazhdueshme publike. Ka disa hapësira të gjelbëruara para hoteleve dhe restoranteve të cilat janë të dedikuara për përdoruesit e veçantë të aktiviteteve, por nuk ka asnjë pikë takimi publik. Për më tepër nuk ka hapësira publike të dedikuara për parkimin e makinave dhe autobusëve. Sa i përket identitetit të zonës duhet të theksohet se zona nuk ka identitet dhe nuk përfaqëson ndonjë qasje specifike arkitekturale pasi ndërtesat janë  ndërtuar pa iu referuar ndonjë parimi dizajni.  

Ndërhyrjet e propozuara

Projektuesi duhet të analizojë të dhënat e të projektojë hapësirën e parkut me një sipërfaqe rreth 409,000 m2 si dhe ndërtimin e një godine kulturore rreth 1000m2 dhe disa pavioneve me sipërfaqe rreth 1000 m2. Ndërtesa dhe pavionet do të shërbejnë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e argëtuese për qytetarët e turistët. Parku duhet parashikuar për të krijuar mundësinë e krijimit të ambienteve për argëtimin e vizitorëve të të gjitha grupeve, si familjarët, të rinjtë, të vegjlit, turistët, etj. Hapësira e parkut duhet të jetë e shfrytëzueshme nga të gjitha grupet përgjatë gjithë vitit. Karakteristikë e këtij parku duhet të jetë të qënit argëtues e të japë mundësinë e zhvillimit të aktiviteteve kulturore e sportive. I gjithë parku duhet të funksionojë si një hapësirë e madhe publike në të cilën mund të ushtrohen aktivitete në shërbim të rezidentëve e turistëve. 

 

Godina duhet të parashikohet me ambiente kulturore për të plotësuar kështu argëtimin për pushuesit e turistët. Pavionet të parashikohen ndërtime të vogla me material të qëndrueshme të cilat do të ofrojnë shërbime për parkun dhe për eksplorimin e zonës si psh: marrja me qera e biçikletave dhe materialeve sportive, dhomë komuniteti, kafe-biblioteke, etj. Projekti i parkut qendror përfshin dhe projektimin e 900m të shëtitores në bregdet me qëllim krijimin e një pamjeje te bukur si dhe lidhjen hapësinore, funksionale e estetike ndërmjet parkut e detit. Projektimi i shëtitores së parkut duhet të jetë i veçantë për këtë pozicion me qëllim që t’i përgjigjet konditave unike të zonës, por gjithashtu duhet të jetë një koncept i përgjithshëm i aftë për t’u përshtatur me pjesën tjetër të shëtitores.

 

Ndërhyrjet e propozuara në zonën e projektit, do të jenë:

Punime për ndërtimin e parkut, hapësirat e gjelbërta

Ndërtimi i hapësirave të parkimit për vetura e autobusë

Parqe lojërash e argëtimi për fëmijët, familjet e të rinjtë, etj

Park i pyllëzuar aventurash

Sipërfaqe për aktivitete sportive

Palestër në ambient të hapur

Kinema e hapur

Teatër i hapur

Rrugë biçikletash dhe rrugica për lëvizjen brenda parkut

Qendër kulturore dhe argëtuese

Pavione argëtuese

Punime për zgjidhjen e infrastrukturën mbitokësore e nëntokësore, si KUB, KUZ, ujësjellësit, ndriçim, telefoni, etj

Punime sinjalistike

Punime gjelbërimi

Mobilim urban, etj

Projekti i zbatimit duhet të përgatitet e dorëzohet brenda një afati kohor prej 6 muajsh./Scan


Më të lexuarat