Secondary Adv

Tirane-Durres pas 20 vjetesh: 100 mije mjete ne dite dhe fitime te larta per kompanine koncesionare

Share on Google+

Trafiku në rrugën Tiranë-Durrës pritet që brenda 20 viteve të arrijë mbi 100 mijë mjete në ditë, duke sjellë më shumë të ardhura nëse qeveria do e japë me koncesion.

 

Top Channel publikon projektin e kompanisë italiane Spea, i cili, përveç studimit teknik, ka bërë edhe matjet se si do të ndryshojë trafiku gjatë dy dekadave në vijim. Sipas projektit, në vitin 2015 trafiku mesatar në rrugën Tiranë-Durrës ishte 46 mijë e 200 mjetë në ditë. Por, kjo shifër rritet nga viti në vit, veçanërisht pas zgjerimit të superstradës edhe me një korsi shtesë në secilin krah. Sipas parashikimeve të ekspertëve të SPEA-s, në vitin 2020 qarkullimi ditor në rrugën Tiranë-Durrës do të arrijë në 62 mijë mjete, ndërsa në vitin 2040 shifra pritet të arrijë në 102 mijë mjete në ditë.

 

Me këtë trafik, koncesioni i rrugës Tiranë-Durrës shndërrohet në një biznes me vlerë totale të ardhurash që mund të arrijë mbi 1 miliard euro e gjysmë për 30 vitet e jetëgjatësisë së tij. Në studimin e fizibilitetit është parashikuar që tarifa e kalimit në rrugë të jetë 2 euro për mjetet e vogla dhe 5 euro për ato më të rënda. Qeveria ka nisur procedurat e shqyrtimit për një ofertë të pakërkuar nga një grup indian i përfaqësuar nga dy kompani vendase, Albstar dhe Trema. Në ofertë dy kompanitë parashikojnë zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës me fondet e tyre dhe në një fazë të mëvonshme ndërtimin e autostradës nga Kashari në Rrogozhinë. Ministria ka deklaruar se propozimi i pakërkuar është ende në fazë shqyrtimi dhe nuk ka asnjë vendim nëse do të miratohet apo jo. Por, gjasat janë që Tiranë-Durrës të shndërrohet në aksin e dytë, pas Rrugës së Kombit, ku qytetarët do të duhet të paguajnë për të kaluar./Shqip


Më të lexuarat