Secondary Adv

BSH: Qeveria te kete kujdes me koncesionet, rrisin borxhin publik

Pas paralajmërimeve të shpeshta të ndërkombëtarëve, edhe BSH sugjeron që projektet PPP të analizohen dhe studiohen mirë, duke i vendosur sipas prioriteteve.  

  

Duke dhënë opinionin e Bankës Qendrore për buxhetin e vitit të ardhshëm në Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit, guvernatori Gent Sejko tha dje se, përsa kohë PPP janë brenda normave të përcaktuara në Buxhetin e Shtetit dhe nuk i tejkalojnë limitet, atëherë do të ishin të mirëmenaxhuara, ndërkohë, në projektet e infrastrukturës nevojitet të rriten kapacitetet e analizimit, teknike dhe financiare, nga ana e autoriteteve shtetërore. “Këtu ka një risk të caktuar, pasi këto projekte kanë të bëjnë kryesisht me investime strukturore në infrastrukturë, ku askush nuk është i sigurt nëse projekti do të ketë strukturimin dhe investimin e përcaktuar në fillim. Shpesh herë projektet infrastrukturore kanë nevoja shtesë gjatë rrugës; kjo pastaj e komplikon projektin, prandaj duhet bërë një projekt sa më i studiuar. Pikërisht për këtë arsye ne kemi thënë dhe i kemi sugjeruar qeverisë që të rriten kapacitetet teknike dhe financiare në analizimin në përgatitjen e këtyre projekteve”, u shpreh Sejko.

 

Guvernatori shtoi me tej se duhet që kontabilizimi financiar i këtyre projekteve të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të njihet efekti real i tyre në borxhin publik. “Të ketë një kontabilizim sipas standardeve ndërkombëtare që të mos ndikojë, ose ta njohim vlerën, efektin e PPP-ve në nivelin e borxhit në mënyrë realiste, pra ne të dimë sipas standardeve ndërkombëtare se sa këto pagesa për PPP do të ndikonin në nivelin e borxhit në mënyrë që të respektojmë pikërisht pikën e tretë që ju thatë nivelin e tavaneve, pra ka një kufi ka një limit, pikërisht që ky limit 5% e të ardhurave është vënë për këtë arsye për këtë qëllim që mos të kemi ndikim negativ në nivelin e borxhit”, tha Sejko. Duke theksuar se Banka e Shqipërisë gjykon se, përtej këtij mekanizmi rregullues në funksion të respektimit të tavanit ligjor, rritja e mundshme e deficitit buxhetor duhet të shmanget nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve buxhetore.

 

Banka e Shqipërisë vlerëson se përfshirja e tavaneve mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve në Ligjin Organik të Buxhetit do të ishte një element plotësues i kufizimit të parashikuar në këtë ligj mbi kufijtë maksimalë të lejuar për alokimin e fondeve për shërbimin e PPP-vë në një vit buxhetor. Gjithashtu, ai do të ankoronte në baza më të qëndrueshme, detyrimet potenciale që i vijnë buxhetit nga PPP-të, shtoi ai. Fatura e 5 koncesioneve të mëdha në infrastrukturën rrugore që janë miratuar qeveria deri me tani është mbi 1.2-1.3 miliardë euro. Ndërkohë, këtyre projekteve pritet t’i shtohet dhe koncesioni për rindërtimin e autostradës Tiranë-Durrës. Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka vënë si vlerë tavan për këtë koncesion një shifër prej 380 milionë eurosh. 

 

Skemat

Projektbuxheti i vitit 2019 shoqërohet dhe me tabelën e projeksioneve afatmesme të financave publike. Kjo tabelë sugjeron vazhdimin e konsolidimit fiskal, edhe në horizontin afatmesëm, tha guvernatori i Bankës qendrore. Por, Banka e Shqipërisë konstaton se deficiti i skemave të sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore dhe sigurimeve të tjera sociale, është rreth 4.6% e PBB-së, ose 2.6 herë më i lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor. E parë më në detaje, deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore, apo ndryshe skema e pensioneve, pritet të jetë rreth 1.5% e PBB-së, megjithatë brenda parashikimeve të bëra në reformën e këtij sistemi dhe në një trajektore rënëse.

 

Taksat

Banka e Shqipërisë vlerëson, nga ana tjetër, se, përpos stabilitetit të regjimit tatimor, një tipar tjetër i dëshirueshëm i politikës së taksave është dhe thjeshtimi i sistemit, në drejtim të reduktimit të përjashtimeve tatimore. Me përjashtim të rastit të mbrojtjes së shtresave në nevojë, një sistem i thjeshtë tatimor lehtëson barrën e administrimit të sistemit tatimor dhe tenton të përmirësojë eficiencën e shpërndarjes së burimeve në ekonomi.

 

Buxheti

Një kritikë e përsëritur ka qenë ajo se ritmi i realizimit të shpenzimeve buxhetore gjatë vitit vazhdon të shfaqë një përqendrim të theksuar në tremujorin e katërt. Ky fenomen, i përsëritur dhe i diktuar në masën më të madhe nga ritmi jo i njëtrajtshëm i realizimit të investimeve publike, krijon luhatje të panevojshme gjatë vitit në treguesit e likuiditetit dhe të normave të interesit në tregun e brendshëm financiar. Gjithashtu, ai tenton të vështirësojë kontrollin e shpenzimeve dhe të respektimit të limiteve të buxhetit, si dhe të reduktojë efektivitetin e tyre.

 

Ekonomia

Në këndvështrimin e BSH, ekonomia e vendit po ecën me ritme pozitive. Ritmi i rritjes ekonomike është përshpejtuar gjatë tre tremujorëve të parë të vitit aktual, pjesërisht edhe si rezultat i situatës së favorshme hidrike; punësimi është rritur dhe norma e papunësisë ka rënë, ndërsa bilancet financiare të familjeve, bizneseve dhe sektorit bankar, shfaqen në përmirësim. Po kështu, treguesit kryesorë të balancave makroekonomike janë përmirësuar, inflacioni mesatar i është afruar më tej objektivit gjatë vitit 2018, pavarësisht ndikimit negativ që ka pasur forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit, deficiti i llogarisë korrente ka ardhur në rënie, kryesisht si pasojë e rritjes së eksporteve shqiptare.

 

Po kështu, treguesi i kredive me probleme ka zbritur në nivelin 12.9%, në reflektim të përmirësimit të bilanceve të sektorit real por edhe të masave të marra për adresimin e këtij problemi dhe, së fundi, raportimet fiskale tregojnë se deficiti buxhetor mbetet në nivele historikisht të ulëta dhe se borxhi publik ka ardhur në rënie. “Të gjithë treguesit e mësipërm sugjerojnë se pozicioni ciklik i ekonomisë shqiptare është në përmirësim. Me fjalë të tjera, ekonomia është duke lëvizur gradualisht drejt ekuilibrit. Banka e Shqipërisë vlerëson se premisat e rritjes ekonomike mbeten pozitive”, tha Sejko në Kuvend./Shqiptarja.com


Më të lexuarat