Secondary Adv

Proteste perpara Ministrise se Arsimit: Studentet kunder rritjes se tarifave arsimore

Share on Google+

Studentë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Arkitekturës dhe Urbanistikës kanë dalë që prej mëngjesit të sotëm në protestë kundër rritjes së tarifave arsimore nga qeveria. 

 

Mes të tjerave, studentët kërkojnë heqjen e tarifës prej 670 lekësh për kredit për çdo provim të bartur, ndërkohë që pagesa për vitin akademik kërkohet të bëhet në janar dhe jo në dhjetor. Dhjetëra studentë janë parë të mblidhen në oborrin e fakultetit në fjalë, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, e më pas kanë vijuar me një marshim në rrugët e kryeqytetit me destinacion Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Gjatë rrugës janë bërë me qindra, sepse atyre iu janë bashkuar edhe studentë të Universitetit të Tiranës, përkatësisht nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe ai i Drejtësisë. 

 

Me të mbërritur në Ministrinë e Arsimit, edhe për shkak të bllokimit të trafikut në rrugën e Durrësit, nga Ministria ka dalë zëvendësministrja Besa Shahini, e cila ka kërkuar prej studentëve një përfaqësi. Por studentët vijuan të qëndrojnë në rrugë mes thirrjeve për plotësimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që afër mesditës kanë qëlluar godinën e MAS-së me vezë dhe sende të tjera si shishe plastike. Nga Ministria e Arsimit, ndërkohë kanë njoftuar se rreth orës 12:30 do të ketë një reagim nga ministrja Lindita Nikolla, pikërisht për protestën e studentëve në ambientet e Ministrisë së Arsimit./Top Channel 


Më të lexuarat