Secondary Adv

Te ardhurat e sistemit bankar: 15.4 miliarde leke fitim per 10 mujorin

Sipas Bankës së Shqipërisë, për 10 muaj fitimi i përbashkët i bankave tregtare arriti në 15.4 miliardë lekë, në rritje me afro një miliard lekë krahasuar me 9 mujorin. 

 

Sidoqoftë, këtë vit fitimet janë larg niveleve rekord të vitit të kaluar, kur për 10 muaj bankat fitonin afro 19 miliardë lekë. Përfitueshmëria e sistemit bankar shënon një kthim nga kapitali në nivelin 13.1%, normë kjo e kënaqshme për ciklin ekonomik. Megjithatë, një tipar që po thellohet në vitet e fundit është polarizimi në rritje i performancës së bankave, ku fitimet gjithnjë e më shumë po përqendrohen në pak banka, sidomos te BKT dhe Raiffeisen. Për bankat e tjera, fitimet, qoftë në vlerë absolute apo kthim nga kapitali i investuar, përgjithësisht janë më të ulëta. Madje, pothuajse gjysma e bankave janë me humbje, të paktën mbështetur në rezultatet e 9-mujorit. 

 

Kjo tregon se sistemi vazhdon të ketë sfida, sidomos të lidhura me ri ngritjen e kreditimit dhe me uljen e mëtejshme të raportit të kredive me probleme. Kriza ka goditur ndjeshëm kreditimin e korporatave dhe sistemi bankar ende nuk po arrin të rrisë kredinë për bizneset. Portofoli i kredisë, në vlerë absolute, është pranë vlerave të vitit 2011, ndërsa në terma realë kredia tashmë ka rënë në rreth 32% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët në 15 vjet. Kredia po frenohet edhe nga zhvillimet strukturore në sistemin bankar, që po kalon një fazë shitblerjesh dhe konsolidimi. Numri i bankave ka rënë nga 16 në 14, ndërkohë që pritet të ulet më tej vitin e ardhshëm. Përfshirja e shumë bankave në këtë proces ka zhvendosur fokusin e tyre nga rritja përmes kreditimit në menaxhimin e proceseve të shitblerjes së aksioneve./Scan


Më të lexuarat