Secondary Adv

Numer i larte koncesionesh - Ne 5 vite mbi 70 kontrata koncesioni dhe PPP

Që nga shtatori i vitit 2013 e deri më tani është miratuar ndërtimi i mbi 50 HEC-eve, ndërsa nuk mungon hapja e garave për ndërtime te reja nëpër lumenj.

 

Nga ana tjetër, janë rreth 20 kontrata të tjera koncesionare, që janë lidhur përgjatë kësaj periudhe. Sterilizimi, ndërtimi i Portit të Jahteve në Durrës, Hemodializa, porti i Porto-Romanos, porti i Jahteve në Shëngjin, incineratorët në Elbasan, Fier e Tiranë, Check-Up, autostrada Milot-Morinë apo rruga e Arbrit janë disa nga koncesionet e dhëna nga qeveria Rama, ndonëse shumica e tyre të kritikuara nga specialistët. Më i fundit ishte Departamenti Amerikan i Shtetit, që ndryshe nga raportet e mëparshëm, kritikoi fort kontratat e Partneritetit Publik Privat. “Përdorimi në rritje i kontratave të partneriteteve publike dhe private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë,” thuhej në raportin e publikuar në fund të muajit korrik. 

 

“Analizat e dobëta të kostove dhe përfitimeve dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të koncesionit janë shqetësime të vazhdueshme”,-shtohej në dokument. Por parashtrimi i rreziqeve që vjen nga koncesionet nuk ka munguar edhe nga vetë institucionet shtetërore, sikurse është  Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve në Shqipëri. Ky dikaster flet për kostot e larta financiare, pasi megjithëse sektori privat mund ta ketë më të lehtë marrjen e financimit, ato  do të jepen vetëm në rast se projekti do të sigurojë jo vetëm kthimin e investimit por edhe një fitim të arsyeshëm. Ndërkaq, tashmë janë miratuar disa ndryshime në ligjin “Për koncesionet”, sipas të cilëve nga data 1 korrik 2019 nuk do të lejojnë ofertën e pa kërkuar për projekte infrastrukturore. Megjithatë, ekspertët kanë argumentuar se ligji ka nevojë për ndryshime të mëtejshme për të rregulluar gjithë mangësitë e ligjit në këtë drejtim./Scan


Më të lexuarat