Secondary Adv

Studentet nuk ndalin protestat: Kryeministria grup pune per plotesimin e kerkesave

Mendohet se një grup pune po punon intensivisht për përgatitjen e dialogut me studentët dhe elementë surprizë do t'u shtohen 8 pikave që kërkojnë studentët. 

 

Kryeministri është gati që të nisë zbatimi për të 8 pikat me të nisur dialogu. Drafti i uljes së tarifave shkon përtej kërkesës së studentëve dhe pret firmën e Ramës. Po ashtu është punuar për të gjitha pikat e tjera, në pritje të studentëve që duan të dialogojnë. Burimet konfirmojnë gjithashtu se pa u hapur dialogu, kryeministri nuk ka ndërmend të lëvizë nga pozicioni i tij. Pak orë më parë Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje protestuesve që të ulen dhe të dialogojnë. Sipas kryeministrit 8 pikat e kërkuara nga studentët për t’u plotësuar nga qeveria janë për të vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës universitare dhe këtë transformim mund, duhet dhe do ta bëjnë së bashku qeveri dhe student, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë. 

 

Sipas Ramës adresimi i 8 pikave duhet të nisë pa humbur kohë që ulja e tarifave të studimit të mbyllet përpara pushimeve të Vitit të Ri. Rama përsëriti se është gati për dialog me studentët dhe pa asnjë kusht. Në ditën e 9-të të protestës, studentët janë të përçarë. Një grup po proteston nga mbrëmë përpara Kryeministrisë, ndërsa një grup tjetër përpara Ministrisë së Arsimit, atje edhe ku nisi protesta. Dje, sipas të dhënave të policisë, në protestë ishin rreth 6500 studentë, përfshirë gjimnazistët dhe studentë nga rrethet, protesta u nda në tre grupime. Një pjesë e studentëve protestuan dje para Ministrisë së Arsimit, një pjesë e tyre para Kryeministrisë, ndërsa një pjesë tjetër protestuan tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi. 

 

Një pjesë e vogël e studentëve e kanë kaluar natën para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke përballuar temperaturat e ulëta gjatë natës, që kanë shkuar në minus 2 gradë C, ndërkohë që është e paqartë situata për vijimin e protestës. Megjithëse kryeministri Edi Rama u shpreh mbrëmjen e djeshme se është i gatshëm të përgjysmojë tarifat për të gjithë studentët,(LEXO KËTU), ende nuk ka një përgjigje nga këta të fundit. Ditën e djeshme skadoi edhe afati i vendosur prej tyre për qeverinë për të pranuar 8 kërkesat e tyre. Studentët protesojnë për përgjysmimin e tarifave për të gjitha ciklet e studimit, përfaqësimin e studenteve në senatin e akademik dhe bordet e universitetit si edhe rritjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe bibloteka.

 

Kërkesat e fundit/Letra drejtuar Ramës, Ruçit e Nikollës nga Këshillat Studentorë/ Datë 9 Dhjetor

1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).

2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online

3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19

7. Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8. Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve./Shqiptarja.com 


Më të lexuarat