Secondary Adv

Te dhenat nga Banka e Shqiperise: Tremujori i trete shenon renie te investimeve te huaja

Investimet e huaja direkte pësuan rënie për të dytin tremujor radhazi.

 

Ndonëse ngelen në vlera domethënëse, shifrat konfirmojnë parashikimin për një rënie graduale të vlerë së tyre, e lidhur sidomos me përfundimin e projekteve madhore të investimeve strategjike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë investimet e huaja direkte kishin vlerën e 268 milionë eurove, në rënie me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, deri tani bilanci progresiv vjetor ngelet pozitiv, falë rritjes së tremujorit të parë. Në nëntë muaj, ekonomia shqiptare ka thithur 782 milionë euro investime të huaja, me një rritje prej 10 milionë eurosh krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Investimet e huaja direkte kanë qenë një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike në pesë vitet e fundit, të mbështetura sidomos nga disa projekte madhore energjetike, si gazsjellësi Trans-Adriatik, apo hidrocentrali në kaskadën e Devollit. 

 

Megjithatë, tani që këto vepra janë drejt përfundimit, perspektiva e investimeve të huaja është e pasigurt, siç është evidentuar nga raportet e institucioneve ekonomike të specializuara. Ndërsa investimet e huaja po hyjnë në një cikël të rënies, të ardhurat nga turizmi arritën një vlerë rekord prej 683 milionë eurosh në tremujorin e tretë. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga turizmi u rritën me afro 100 milionë euro. Në nëntë muaj, të ardhurat nga turizmi arritën në 1.47 miliardë euro, në rritje me 12% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, me ritme po kaq të shpejta po rriten edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit. Në nëntë muaj, këto shpenzime prekën vlerën e 1.1 miliardë euro. 

 

Bilanci neto nga udhëtimet për 9-mujorin rrjedhimisht, ishte pozitiv me rreth 360 milionë euro, me një rritje prej vetëm 20 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. Dërgesat e emigrantëve gjithashtu janë rigjeneruar në vitet e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e remitancave për tremujorin e tretë arriti në 170 milionë euro, në rritje me 2.5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Për 9-mujorin, vlera e remitancave të dërguara në Shqipëri ishte 501 milionë euro, 8% më shumë në raport me 9-mujorin 2017. Rritja e dërgesave të emigrantëve në vitet e fundit i detyrohet kryesisht valës së re të emigracionit, të nisur pas heqjes së vizave me Bashkimin Europian dhe të forcuar sidomos në pesë vitet e fundit./Scan


Më të lexuarat