Secondary Adv

Shpallet fituesi per koncesionin e aeroportit te Kukesit: 8 milion euro investim

Share on Google+

Ministria e Infrastrukturës njoftoi sot se ka përmbyllur fazën e vlerësimit të ofertave dhe ka shpallur fituesin për garën e dhënies me koncesion të Aeroportit të Kukësit.

 

Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlere investimi prej 7,999,393 Euro (pa TVSH) është identifikuar nga komisioni si oferta e suksesshme. “Ky bashkim operatorësh ekonomik në bashkëpunim me kompaninë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35 vjeçare të koncesionit.

 

Të dhënat mbi kronologjinë e procedurës:

Në datën 11 Korrik 2018, Këshilli i Ministrave mori vendimin për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet bashkimit të shoqërive, për dhënien me koncesion/Partneritet Publik Privat për rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit. Sipas këtij vendimi, bashkimi i shoqërive “Kastrati” sh.a. dhe “T.M.D Systems LTD” morën bonusin prej 8% të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për projektin e rehabilitimit, të operimit, transferimit të Aeroportit të Kukësit.

 

Në zbatim të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli garën e hapur duke ftuar çdo kompani të interesuar për këtë projekt. Afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave nga operatorë të ndryshëm ekonomik përfundoi më datë 20.12.2018. Komisioni i dhënies me koncesion, pas hapjes së ofertave konstatoi se kishte paraqitur ofertën e tij për këtë procedurë një bashkim operatorësh ekonomik ndërsa operatorët të cilët kishin marrë bonusin më parë nuk ishin paraqitur në këtë garë. E vetmja ofertë ishte ajo e bashkimit të përkohshëm të shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, ku në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk.

 

Një nga kriteret kualifikuese të kësaj procedure ishte pjesëmarrja e një shoqerie/ekspertesh me përvojë në fushën e operimit dhe manaxhimit të aeroporteve e pajisur me licencat përkatëse lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare të aviacionit, nëpërmjet një marrëveshje/kontrate me operatorin ekonomik. Në dokumentet e dorëzuara nga konsorciumi që ka paraqitur ofertë në këtë procedurë gare është përfshirë dhe marrëveshja mes konsorciumit dhe kompanisë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve” thuhet në deklaratën e ministrisë.

 

 Të dhëna mbi llojin e investimeve që do kryhen

Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët. Pista për avionët në flotën e linjave ajrore me kosto të ulët, do të zgjerohet deri në një gjatësi prej 2.200 metra, dhe do të ketë kodin me numrin 4. Me rritjen e kodit do të rritet edhe gjerësia e pistës në 45 metra. Me qëllim të zgjerimit  dhe zonave të sigurisë do të bëhet një shtesë prej 66.000 m2 të zonës së aeroportit. Zgjerimi i propozuar i terminalit të udhëtarëve do të jetë nga aktualisht 600 m 2 deri 3.800 m 2 ose me fjalë të tjera do të bëhet zgjerimi i terminalit maksimumi deri në stacionin e zjarrfikës.

 

Zgjerimi i terminalit të udhëtarëve është zgjerimi i dhomave të pritjes për të siguruar kapacitet të mjaftueshëm për ngjitje paralele në bordin e 3-4 avionëve. Përveç zgjerimit të terminalit, do të bëhet edhe zgjerimi i platformës dhe gjithashtu do të ndërtohet edhe sistemi i dytë i rrugës së manovrimit në pistë që do të lidhë platformën dhe pistën. Për shkak të statusit të aeroportit me kosto të ulët, do të përdoret ngjitja në bord e udhëtarëve duke ecur nga terminali në avion. Aktualisht ndodhen dy parkingje para terminalit të udhëtarëve të Aeroportit të Kukësit. Një parking është për udhëtarët VIP me kapacitet prej 20 makinash dhe një tjetër është parking i rregullt me kapacitet për 26 makinash. Për shkak të faktit se në Aeroportin e Kukësit do të operojnë avionë me kapacitet 180 – 189 vende, është i detyrueshëm zgjerimi i parkimit./Monitor 


Më të lexuarat