Secondary Adv

Turistet e huaj: Gjermanet risi e ketij viti, ja si parashikohet situata e turizmit per 2019

Share on Google+

Ndërsa 2018-a ishte viti më i mirë historik për turizmin shqiptar, ekspertët janë skeptikë nëse ky sukses do të përsëritet edhe këtë vit. 

 

Turistët e parë, ata polakë kanë reduktuar prenotimet, nordikët kanë vënë kushte deri në 2020-n, taksa e rrugës së Kombit do frenojnë hyrjet nga Kosova. Shpresa këtë vit te angezët, çekët, ukrainasit, zviceranët, hungarezët. Risi këtë vit janë dhe gjermanët. Operatorët e sektorit të turizmit dhe ekspertët bien dakord se 2018 duhet të kurorëzohet si viti më i mirë i turizmit në vend. Sipas raportit të fundit të INSTAT, në total, për 11-mujorin, Shqipërinë e vizituan 5.6 milionë turistë, me rritje 16.2% me bazë vjetore. Në këtë periudhë, shtetasit nga Kosova zinin peshën kryesore, me 36%, ose rreth 2 milionë persona, të cilët janë turistë sidomos në zonën e Durrësit, destinacioni kryesor i tyre. Në vend të dytë, maqedonasit, me 640 mijë hyrje, ose 11.3% të totalit.

 

Të tretët, renditen grekët, me 498 mijë hyrje, ose 8.8% të totalit. Italianët janë në vend të katërt, me 408 mijë hyrje ose 7.2% të totalit. Pas tyre, malazezët, me 330 mijë hyrje, ose gati 6% të totalit. Në 11-mujorin e 2018-s, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe, 34,5%. INSTAT shton se 2.7 milionë të huaj kanë ardhur për turizëm në 11-mujorin e vitit 2018, ose rreth 48% e totalit, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Te kontingjenti i turistëve që vizituan vendin gjatë 2018-s mbizotëronte ai me shpenzime të ulëta”, pohon Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit. Numri i turistëve të huaj që po e vizitojnë Shqipërinë është rritur, por sipas z. Topuzi, duhet pasur në konsideratë se ata nuk janë turistë elitarë, që shpenzojnë në mënyrë domethënëse. 

 

Ende pas kaq shumë vitesh dhe nismash, qeveritë po ecin pa strategji, nuk po bëhet kategorizim i strukturave, nuk po ndërhyhet në infrastrukturë aty ku duhet, duke e lënë turizmin të mbetet peng i çmimeve të ulëta. Viti 2018, sipas tij, pati një sezon të mbarë dhe kjo vjen ngaqë trendi rajonal ka një rritje nga 5.4 që raportohet nga Kroacia deri në 7-8% në të gjithë zonën tjetër. Si rezultat i situatës pozitive në Ballkan, Shqipëria mund të përfshihet në këtë lëvizje turistike. “Ka rritje dyshifrore të turistëve nga vendet e Europës Qendrore dhe zonat skandinave, ashtu siç ka edhe një rritje të turistëve nga zona e ish-Lindjes, por nuk duhet të harrojmë që kontingjenti kryesor do të mbeten Kosova, Maqedonia dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Pavarësisht se ky trend i turistëve europianë vjen në rritje, nuk do të ndikojnë shumë”, – thotë z. Topuzi.

 

“Mendoj se i njëjti trend rritjeje do të jetë për vitin 2019, pra një rritje në kufijtë 15%. Kjo kërkon vëmendje karshi një tregu të ri, i cili nuk ka kërkesa si tregu europian, por është shumë delikat e mund të largohet në rajon po të jetë se defektet e vërejtura gjatë sezonit 2017 nuk riparohen në kohë. Ne nuk kemi përvojë ndaj shërbimit “All Inclusive”, ndaj investimet në hotelet me pesë yje do të ndihmojnë në tërheqjen e një target-grupi që siguron të ardhura e punësim të lartë. Ulja e TVSh ju dha frymëmarrje njësive akomoduese të përdorin në sezon diversitet çmimesh apo çmime shitje ‘last minute’, pasi u ulën ndjeshëm kostot fikse”, – shton z. Topuzi. OBT raporton që deri në vitin 2030, numri i turistëve në zonën e Mesdheut do të dyfishohet, gjë për të cilën mendohet se do të ndikohet edhe turizmi ynë.

 

Polakët dhe nordikët priten në ulje

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe Menaxher i Happy Tours, thotë për “Monitor” se 2019 e presin të jetë një vit i mirë me disa reduktime numrash nga dy operatorë të huaj. Këto reduktime sigurisht që do të plotësohen me operatorë të rinj. “Më pak rezervime ka konfirmuar Tui nga Polonia si dhe vendet nordike, por në total vlerësojmë se kërkesat do të jenë në një trend të qëndrueshëm. Kjo sepse është futur një kompani zvicerane, por edhe disa kompani të vogla hungareze dhe ukrainase që do të balancojnë pjesën e munguar”, – shton z. Kasa. Sa i përket një parashikimi për 2019, ai shprehet me nota pozitive. “Mendojmë që në vitin 2019 do të jemi në nivelin e vitit 2018 për nga numri i vizitorëve ose një rritje më e moderuar, pra nuk mund të pretendojmë rritjen 25% në 2018. Kemi vënë re një tendencë të rritjes së turizmit kulturor. Ky lloj turizmi vjen si kërkesë kryesisht nga grupe franceze që vijnë si pjesë e tureve rajonale, pra jo me destinacion direkt Shqipërinë./Monitor


Më të lexuarat