Secondary Adv

Shlyerja e borxhit: Menaxheret e Eurobondit e vleresojne me risk te larte

Investimet në borxhin e qeverisë janë vlerësuar me shkallë të lartë rreziku nga menaxherët e përbashkët Citibank, Banka Intesa Sanpaolo IMI dhe Societe Generale.

 

Menaxherët dhanë të njëjtin vlerësim rreziku si në vitin 2015, teksa qeveria shqiptare ndryshe nga herët e tjera, nuk e publikoi prospektin për eurobondin. Prospekti, një raport prej 159 faqesh, i cili u publikua nga Banka Qendrore e Irlandës lajmëroi investitorët se Shqipëria mund të dështojë të shlyejë detyrimet e saj të borxhit. Një investim në një vend në zhvillim, si Shqipëria, i nënshtrohet rreziqeve shumë më të mëdha sesa një investim në një vend më të zhvilluar dhe me sisteme më të zhvilluara politike dhe ligjore. Menaxherët theksojnë se, këto rreziqe përfshijnë paqëndrueshmërinë ekonomike të shkaktuar nga faktorë të tillë si: Baza e ngushtë e eksporteve; importet e larta të energjisë; deficitet e larta fiskale dhe të llogarisë rrjedhëse; varësia nga Investimet e Huaja Direkte (“IHD”); papunësia e lartë; mjedisi i tensionuar politik; ekonomik; shoqëror; ligjor dhe rregullator.

 

Menaxherët këshillojnë investitorët e huaj se ata rrezikohen në Shqipëri, edhe në rast të ndryshimit të qeverisë. Zakonisht,qeveritë e reja në Shqipëri sfidojnë politikat e qeverisë paraardhëse. Përveç faktorëve ekonomikë dhe politikë, infrastruktura ligjore e Shqipërisë dhe kuadri rregullator janë ende në zhvillim. “Investitorët duhet të kenë kujdes të veçantë në vlerësimin e rreziqeve dhe duhet të vendosin nëse, në dritën e këtyre rreziqeve, një investim i tillë është i përshtatshëm për ta” thuhet në raportin e menaxherëve të Eurobondit. Ata rekomandojnë se, në përgjithësi, investimet në vendet në zhvillim, aty ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë të përshtatshme vetëm për investitorë të sofistikuar, të cilët janë të aftë të vlerësojnë saktë efektin e këtyre rreziqeve.

 

Investimet në borxhin e Shqipërisë gjithashtu mund të ndikohen negativisht nga zhvillimet në ekonominë ndërkombëtare, veçanërisht vendet fqinjë (duke përfshirë Greqinë, Italinë dhe Turqinë). Kriza financiare greke, e cila filloi në qershor 2015, çoi në tërheqje nga filialet e bankave greke që veprojnë në Shqipëri. Shfaqja e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen mund të ndikojë negativisht në ekonominë shqiptare drejtpërdrejt, cilësojnë menaxherët. Bankat menaxhere që udhëhoqën emetimin Eurobondit të Shqipërisë arrijnë në konkluzionin se, Shqipëria mund të mos jetë në gjendje të shërbejë borxhin e saj publik dhe, si rezultat, mund të mos jetë në gjendje të paguajë principalin dhe interesat./Monitor 


Më të lexuarat