Secondary Adv

Auditimi i DPT - KLSH: Konstatohen abuzime me rimbursimet e TVSH per bizneset

Share on Google+

Nga auditimi konstatohet se, sipas të dhënave elektronike të DPT, 586 raste që janë rreth 50% të vlerës së rimbursimit, kanë tejkaluar afatet e rimbursimit. 

 

Procesi i rimbursimit të TVSH-së nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve paraqitet me thyerje të afateve dhe radhës së rimbursimit, vlera financiare të miratuara për rimbursim të cilat qëndrojnë “pezull” dhe jo në llogaritë përkatëse si dhe çertifikim i gabuar i kredive tatimore për kontratat e konçesionit përpara se Shteti Shqiptar të njohë këto vlera investimi. Këto janë disa nga konstatimet e grupit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë DPT, që ka kontrolluar periudhën nga data 1 janar 2017 deri në fund të këtij viti.  

 

Shuma

Sipas të dhënave të disponuara, më datë 31 dhjetor 2017 rezultonin 901 kërkesa nga ana e biznesit për rimbursim, të miratuara, me shumën e kërkuar 22.9 miliardë lekë, prej të cilave ishte miratuar për rimbursim shuma 22.5 miliardë lekë, ose 98.3% e shumës së kërkuar. Por shuma që ka shkuar për kompensim, pavarësisht njohjes nga DPT, ka qenë vetëm 1.5 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër prej 21 miliardësh paraqet vlerën e TVSH-së të miratuar të palikuiduar nga ana e DPT-së. Duke qenë se gjatë vitit 2017 u rimbursuan 13.8 miliardë lekë, të pranuara që nga viti i kaluar, gjithsesi në total shuma e palikuiduar dhe e mbetur stok në fundin e vitit 2017, llogaritet në rreth 11.4 miliardë lekë, që nuk shkojnë tek biznesi, ndonëse ai e ka paguar si TVSH, por shteti duhet t’ia kthente. Shuma është e barabartë me 91.2 milionë euro.

 

Afatet

Nga auditimi konstatohet se, sipas të dhënave elektronike të DPT të gjeneruara prej sistemit informatik vihet re se të paktën në 586 raste janë tejkaluar afatet e rimbursimit për një vlerë rimbursimi prej 11.171.334.000 lekësh, që përfaqëson 65% të kërkesave, ose rreth 50% të vlerës totale të rimbursimit për vitin 2017. Në 30 raste kërkesat e depozituara kanë marrë aprovimin e parë në sistem prej inspektorit për miratimin e shumës së rimbursuar, por nuk rezultojnë veprime të tjera për ngrirjen e shumës së kredisë. Konstatohen tejkalime të afateve në të gjitha këto praktika me mbi 100 ditë në 300 ditë vonesë. Vlera e rimbursimit e cila duhet të shqyrtohej brenda afateve 30-60 ditë paraqitet 77 milionë lekë. Në 131 raste të tjera kërkesat e depozituara kanë marrë aprovimin e parë në sistem për miratimin e shumës së rimbursuar, por këto raste nuk rezultojnë të përfunduara, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, në të cilat parashikohet një afat nga 30 deri në 60 ditë për shqyrtimin e kërkesës për rimbursim në varësi të kategorizimit të aktivitetit exportues/joeksportues. Konstatohen tejkalime të afateve në të gjitha këto praktikat me mbi 90 ditë në 550 ditë vonesë.   

 

Vlera e cila duhet të rimbursohej brenda afateve 30-60 ditë paraqitet 561 milionë lekë. Në 425 raste kërkesat e depozituara elektronikisht kanë marrë aprovimin përfundimtar në sistemin informatik tatimor mbi afatin maksimal 60 ditor, afat i cili shkon deri në 405 ditë, pa marrë në konsideratë kohën kur është kryer pagesa, e cila nuk paraqitet në formular, por që bëhet në kohë më të vonshme se plotësimi i të dhënave elektronike. Vlera e cila është proçeduar në thyerje të afateve të parashikuara ligjore paraqitet 11 miliardë lekë. Nëse do t’i referohemi regjistrit të kërkesave të DPT për vitin 2017, kërkesave të mbartura, likuidimeve të kryera, rezulton se pothuajse në të gjitha rastet kemi thyerje të radhës së rimbursimit të shumës, nisur jo vetëm prej afateve të parashikuara ligjore, por edhe datës së miratimit të rimbursimit pas plotësimit të kushteve proceduriale të administratës tatimore. KLSH kujton se mosrespektimi ka ndikime të rëndësishme në marrëdhëniet administratë-tatimpagues, krijon selektivitet, ekspozon njësinë drejt risqeve financiare, por gjithashtu pasqyron një model aspak pozitiv në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga ligji, kur vetë administrata tatimore, e cila efektivisht duhet të jetë “gardian” i tij, e thyen në mënyrë të vetëdijshme atë.

 

Shkeljet

Veç problemeve që lidhen me rimbursimin, KLSH vlerëson se për vitin 2017 janë konstatuar mangësi dhe parregullsi në zbatimin e planit të të ardhurave tatimore, në funksionimin e drejtorive kryesore në DPT, thyerje të radhës dhe afateve të rimbursimit të TVSH, në funksionin e kontrollit tatimor nga DRT, në plotësimin e vendeve vakante, zbatimin e vendimeve të gjykatës për rikthimet në punë, delegimet e kompetencave, aktet rregullative të ndryshuara por edhe në zbatimin e akteve ligjore, nënligjore lidhur me detyrat funksionale të punonjësve të DPT. Po kështu, janë evidentuar mangësi në mbikqyrjen e borxhit tatimor në Drejtoritë Rajonale, në informacionet e disponuara në nivel tatimpaguesi, masat e marra, në mungesën e inspektimeve në drejtoritë rajonale me peshën kryesore. 

 

Konstatohet po ashtu moszbatim i vendimeve gjyqësore për kthimet në vendin e punës me pasoja të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, vende vakante të paplotësuara prej një kohe të gjatë, kryesisht në sektorë të rëndësishëm, trajtim me dy standarde i kritereve të posaçme të rekrutimit për DHT, mungesë e ushtrimit të kontrolleve nga njësia qendrore drejt njësive tjera të Hetimit Tatimor, ndarje joproporcionale e punës për çështjet e trajtuara nga inspektorët, problematika lidhur me përcaktimin e specifikimeve teknike në procedurat e prokurimit, numër i lartë kontrollesh tatimore të pakryer nga drejtoritë rajonale, procedura kontrolli të realizuara jashtë afateve dhe shpesh here të shoqëruara me shkelje procedural. Veç këtyre, edhe mungesa e një regjistri të miratuar rimbursimi, mosrespektim i afateve por dhe i radhës së rimbursimit si dhe krijimi i “xhepave financiarë” lidhur me vlerat e miratuara por të pa likuiduara.

 

Tregu

Çmimet në janar rriten 1.9%, rritja më e lartë nga nëntori

Inflacioni në muajin janar arriti në 1.9 për qind. Ky është ndryshimi më i lartë që nga nëntori 2018. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.7%. Sips INSTAT-it, rritja inflacionit këtë muaj dominohet nga ndikimi i çmimeve te larta të perimeve të stinës. Rritja vjetore e çmimeve në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1.62%, pasuar nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0.17%. Rritja e përgjithshme e çmimeve u dominua në më shumë se 90 për qind nga rritja e çmimit të ushqimeve. Krahasuar me muajin janar 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” dhe “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele, kafene dhe restorante”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shërbimi arsimor”, “Komunikimi”, etj./Shqiptarja.com


Më të lexuarat