Secondary Adv

Nje tjeter koncesion, ai i pompave: Ja 8 taksat mbi naften qe paguajne shqiptaret

Share on Google+

Ndonëse ekzistojnë një sërë taksash të cilat shkojnë në buxhetin e shtetit, së fundmi shqiptarët paguajnë edhe taksa të cilat shkojnë drejtpërdrejtë te privati. 

 

Gjithsej janë 7 taksa që paguhen mbi naftën dhe së shpejti do të hyjë në fuqi një e tetë, ajo e kontrollit të pompave të karburanteve. Për rrjedhojë, në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë rilicencimi. Këtyre katër taksave që shkon në buxhet u shtohen dy taksa të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë taksa e markimit 1 lekë për litër dhe skanimi 1.4 lekë për litër. Në fund, pas këtyre 6 taksave paguhet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili është 20 për qind e çmimit final, ose rreth 30 lekë për litër. Kjo e çon barrën totale të taksave në një litër naftë 109.4 lekë për litër.

 

Nga ana tjetër, së fundmi Komisioni i Prokurimeve Publike ka lejuar ministrinë e Financave që t’i hapë rrugë koncesionit të radhës, atij të kontrollit të pompave të naftës në stacionet e karburanteve. Ky koncesion për 20 vitet e ardhshme devijon 60 milionë euro, nga buxheti i shtetit te llogaria e një kompanie private. Koncesioni i pompave është taksa e tretë private, që qeveria u ngarkon qytetarëve te çmimi i naftës. Dy të parat janë “tarifa e markimit” dhe ajo e “skanimit”, parà të cilat paguhen nga qytetarët në çmimin e naftës, por në vend që të shkojnë në buxhetin e shtetit, janë devijuar në llogari private përmes koncesioneve, që lindin si oferta të pakërkuara dhe me procedura të kontestuara. Në do të bënim një krahasim me vendet e tjera rezulton se në Maqedoni qytetarët paguajnë vetëm akcizë dhe TVSH mbi naftën, ndërkohë kanë një faturë vetëm 48 lekë për litër ose 2.3 herë më pak se taksat në Shqipëri.

 

Por ajo që duket më shumë absurde është fakti se shumica e këtyre taksave mbi naftën nuk aplikohen, madje nuk ekzistojnë fare në asnjë vend të Evropës. Taksa e qarkullimit, ajo e skanimit dhe markimi nuk vilen nga qeveritë evropiane, pasi nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër përveç se në Shqipëri. Duket sikur këto taksa, të aplikuara vetëm në vendin tonë, janë shpikur për të mbushur lehtë buxhetin e qeverisë, por edhe për të favorizuar në mënyrë të padrejtë privatëve koncesionarë, duke i detyruar kështu qytetarët shqiptarë ta blejnë një litër naftë më shtrenjtë edhe se gjermanët apo austriakët, ndonëse rrogat dhe standardi i tyre i jetesës është shumë herë më i lartë se ai i yni./ProBiznes


Më të lexuarat