Secondary Adv

Raporti per Shqiperine - KE: Pagat ne sektorin privat u rriten me 15 perqind ne 2018

Një vlerësim pozitiv i është bërë në përgjithësi ekonomisë shqiptare nga Komisioni Evropian. 

 

Në raportin tremujor për ekonomitë e vendeve kandidate dhe në proces aderimi në BE, Direktorati Ekonomiko-Financiar i KE mendon se parametrat kryesorë të Shqipërisë janë në rrugën e duhur.   

Sektori real

Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë u rrit të paktën 4.5 për qind në shkallë vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2018, pasi u rrit mesatarisht 4.3% edhe në gjashtë muajt e parë, thuhet në raport. Konsumi privat gjithashtu pësoi një rritje në masën 3.9 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që shpenzimet e qeverisë ndoqën tendencën rënëse, me një ulje prej 2.4 përqindësh në shkallë vjetore. Krijimi i kapitalit bruto pati një rritje në masën 5.4 për qind ndaj 2017-ës, pasi ishte ngadalësuar në 3.3 për qind gjashtë muajt e parë të vitit në vazhdim. Në aspektin e kërkesës, konsumi privat mbeti faktori që kontribuoi më fuqishëm gjatë tremujorit të tretë (3.1%), ndjekur nga importi dhe investimet.    

 

Ndonëse eksporti i mallrave regjistroi një rritje shumë të madhe, në masën 16% në tre tremujorët e parë të 2018-ës, kjo nuk mund të lejë pa nënvizuar faktin e një rritjeje të ndjeshme të importeve, ndikuar nga pasoja e një rënieje në eksportet e shërbimeve. Në tërësi, tendenca e eksporteve neto ishte 1.5 për qind më e ulët se rritja ekonomike. Eksportet ruajtën pjesën e tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto prej 38 përqindësh, ndërsa importet ishin sa 50% e PBB-së, pak më të ulta se në tremujorin e tretë të vitit 2017. Prodhimi i elektricitetit dhe industria përpunuese, të cilat kishin kontribuar në mënyrë të veçantë në rritjen e PBB-së gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, ngadalësuan rritjen, nga 20%, në 15% në tremujorin e tretë. Në të kundërt, sektori i ndërtimit u kthye në një rritje të fuqishme dhe të gjitha shërbimet, me përjashtim të informacionit dhe komunikimeve, vijuan zgjerimin.  

 

Tregu i punës  

Tregu i punës pasqyroi zgjerimin aktual ekonomik. Në tremujorin e tretë punësimi i përgjithshëm mbeti tek rritja 1.8% në shkallë vjetore për moshat 15-64 vjeç, ndërkohë që punësimi në sektorët jo-bujqësorë u rrit madje 26% në shkallë vjetore. Papunësia e përgjithshme ra me 1.35% krahasuar me një vit më parë, në nivelin e 12.6 përqindëve, niveli më i ulët që nga viti 2012. Papunësia tek të rinjtë mbetet e lartë, por në mënyrë të vazhdueshme është ulur nga kulmi i arritur në vitin 2015 me 34%. Në tremujorin e tretë për moshat 15-29 vjeç papunësia ishte 23.1%, me 3% ulje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, mbetet hendeku mes meshkujve e femrave, ku të parët kanë përfituar më shumë nga punësimet e reja. Ndërkohë, pagat në sektorët privatë patën një rritje të ndjeshme më 15% gjatë një viti mesatarisht, kurse pagat në sektorin publik u zvogëluan në tremujorin e tretë krahasuar me të njejtën periudhë të 2017-ës.

 

Sektori i jashtëm

Deficiti mesatar i llogarisë korrente vijoi të ngushtohet, nga 6.6% në tremujorin e dytë, në 6% gjatë të tretit. Kjo pasqyron pakësimin e importit dhe një rritje të eksporteve, të shoqëruar nga forcimi i lekut. Në të njejtën kohë, deficiti tregtar i mallrave u ul sërish me 1%, në nivelin 21.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Remitancat kanë qenë në rritje vetëm 2.5% në shkallë vjetore, pasi u rritën 10% gjatë tremujorit të dytë. Investimet e huaja direkte u rritën sërish krahasuar me një tremujor më parë, por ishin 92% më të ulta se në tremujorin e tretë të vitit 2017. Por këto investime mbeten burimi më i madh i financimit të deficitit të llogarisë korrente. Borxhi i jashtëm bruto ishte 8 miliardë euro, duke shënuar ulje. Ndërkohë, rezervat e huaja valutore u rritën sërish fuqishëm në masën 17.4%, në nivelin e 3.35 miliardë eurove, që mbulojnë 6.7 muaj importe të mallrave dhe shërbimeve.

 

Zhvillimet fiskale

Në nëntor 2018 të ardhurat nga taksat u rritën 5.1 për qind në shkallë vjetore, duke qenë 1.2% më të ulta se planifikimi. Taksat doganore, por edhe TVSH patën ndikim negativ nga mbivlerësimi i lekut. Po këhstu, akcizat dhe grantet ishin më të ulta se plani, por edhe më të ulta se rezultatet e vitit 2017. Ndërkohë, nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi fitimin u arrit të mbuloheshin një pjesë e këtyre mosrealizimeve. Shpenzimet buxhetore në total gjatë 11 muajve ishin 6.5 për qind më të ulta se planifikimi, kryesisht si pasojë e mungesës së realizimit të projekteve në kohë. Në 11 muaj u arritën të shpenzoheshin vetëm 66 për qind e shumave të parashikuara për investimet publike, ndërkohë që një vit më parë kjo shifër ishte në nivelin 69%. Në të kundërt, bashkitë e tejkaluan me 6% shpenzimin e tyre buxhetor. Borxhi publik u zvogëlua në 67 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të shtatorit, nga 70 për qind në fund të vitit 2017./Shqiptarja.com


Më të lexuarat