Secondary Adv

Enti Kombetar i Banesave hap aplikimet per kredi te buta

 

Enti Kombëtar i Banesave ka hapur procesin e aplikimit për kredi të buta për familjet në nevojë. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Enti fton të gjithë qytetarët, të aplikojnë pranë dy bankave tregtare me të cilat institucioni ka lidhur marrëveshje në kuadër të programit “Partneriteti në ndihmë të familjeve në nevojë”.

 

"Të gjithë qytetarët, të cilët janë përfitues nga programet e strehimit të realizuara nga Enti dhe nuk kanë mundësi shlyerje të menjëhershme të vleftës së banesës, mund të aplikojnë për kredi në dy bankat e nivelit të dytë “BKT” dhe “Alpha Bank”, me të cilat Enti ka lidhur marrëveshje, pasi kanë ofruar mundësi kreditimi më të përballueshme” shkruan në njoftim Enti Kombëtar i Banesave. Ndërkaq institucioni nuk ka shprehur ende një qëndrim përfundimtar lidhur me fatin e rreth 2,500 kredive të miratuara nga Qeveria Berisha, të cilat prej një viti janë në proces shqyrtimi.


Pezullimi
Në fillimi të vitit 2014, Enti Kombëtar i Banesave u kërkoi të gjitha bashkive e vendit bllokimin e dhënies së kredisë së butë për të pastrehët. Në shkresën drejtuar kryebashkiakëve Enti kërkoi pezullimin e projektit deri në një fazë të dytë me argumentin se janë tejkaluar kuotat e vendosura, si dhe kanë përfituar në mënyrë abuzive një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve.


Në 18 muajt e fundit, specifikohej në shkresën e firmosur nga drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave Doris Andoni, janë lidhur mbi 2500 kontrata për kreditim të lehtësuar, kjo përbën rreth 75% të totalit të kontratave të lidhura që nga nisja e procesit.
Në shkresë theksohej se krahas shifrës së lartë të familjeve që janë trajtuar me kreditim të lehtësuar, dyshime ka edhe mbi përfituesit e këtij projekti. Numri i lartë i kontratave të lidhura, si edhe mungesa e raporteve të monitorimit ka ngritur dyshimin se bashkitë kanë abuzuar me skemën duke shkelur kriteret e përcaktuara. Andoni theksoi se pezullimi i projektit të subvencionimit të interesave të kredisë do të zgjasë për një periudhë njëvjeçare.

Programi i banesave me kosto të ulët
Programi i banesave me kosto të ulët (BKU) që realizohet me financimet e veta të Entit Kombëtar të Banesave, bazohet në ligjin nr.9232/2004 dhe në objektin e veprimtarisë së tij, të përcaktuar në pikën 1 të Vendimit Nr.198, datë 4.5.1993 të Këshillit të Ministarve “PËR KRIJIMIN E ENTIT KOMBËTAR TË BANESAVE”, i ndryshuar, i cili thotë:


“Objekt i veprimtarisë së Entit Kombëtar të Banesave është financimi, ndërtimi dhe shitja e banesave në kushtet e konkurrencës së lirë, për sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për vazhdimin e veprimtarisë, për mbështetjen e politikave sociale të strehimit dhe për sigurimin e banesave me kosto të ulët, në përputhje me ligjin nr.9232 datë13.05.2004 “Për programet e strehimit të banorëve të zonave urbane”.

Si përcaktohet çmimi i banesave me kosto të ulët?
Çmimi i shitjes së banesave me kosto të ulët përcaktohet në piken 2 të nenit 17 të ligjit nr. 9232/2004.

Në të përfshihen:
          a-   kosto e ndërtimit te banesës,
          b-   çmimi i tokës,
          c-   kosto për infrastrukturën,
          d-   vlera e projektit
          e-   dhe shpenzimeve për administrimin e procesit dhe të shpërndarjes

Kush mund të përfitojë nga banesat me kosto të ulët?
Që një familje të përfitojë nga banesat me kosto të ulët që ndërtohen me të ardhurat e veta të Entit, ajo (familje) duhet të ketë aplikuar për strehim në zyrat përkatëse në bashki dhe të jetë miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak për t’u trajtuar në banesën e ndërtuar.
Për t’u përfshirë në listat e përfituesve, familja duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në ligjin nr. 9232, datë 13.05.2004 “Për programet sociale të strehimit”, i ndryshuar.


Kriteret s’kualifikuese janë:
       1-Familja jeton në një banesë që plotëson normat, kushtet e standardet e banimit, të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore (specifikisht VKM nr. 814/2004);
       2-Familja ka të ardhura më të larta se 120% e të ardhurave mesatare të qytetit.
Kriter s’kualifikues për banesat me kosto të ulët është edhe niveli minimal i të ardhurave, i cili nuk duhet të jetë poshtë kufirit të përcaktuar nga subjekti që ka siguruar banesen me kosto të ulët. Niveli minimal i të ardhurave nevojitet për të siguruar kthimin e kredisë dhe sigurimin e jetesës normale të familjes.

Forma e shitjes së banesave me kosto të ulët, të ndërtuara me fondet e veta të EKB
Në mënyrë që Enti të ketë mundësi të ri-investojë në ndërtimin e banesave të tjera, përfituesit duhet të shlyejnë në mënyrë të menjëhershme vlerën totale të apartamentit të tyre.


Për të lehtësuar pagesat e menjëhershme të qytetarëve nëpërmjet marrjes së një kredie, Enti ka hyrë në bisedime me bankat.

Shembull për llogaritjen e nivelit minimal të të ardhurave familjare
Nr.    Tipi i apartamentit    1+1    1+1    2+1
1    Struktura familjare (numri i frymëve)    3    3    4
2    Sipërfaqe apartamenti (m2)    77.13    64.62    97.20
3    Vlera e apartamentit    2,815,164    2,458,763    3,547,986
4    Shuma e kredisë (Lekë)       2,252,131    1,967,010    2,838,389
5    Afati i kredisë (muaj)    300    300    300
6    Kësti i kredisë    13,562    11,845    17,093
7    Të ardhurat mujore minimale[1]
43,562    41,845    47,092


Më të lexuarat