Secondary Adv

Rruga e Arbrit, ne prill nis ndertimi

Rruga e Kombit dhe Rruga e Arbrit janë dy sfidat e para që do të zgjidhen gjatë vitit 2015, nuk u dha afat se kur pritet qe të konkretizohet kontrata e parë për administrimin e rrugëve me pagesë, por për Rrugën e Arbrit ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto deklaroi se në prill 2015, do të fillojnë punimet.

 


Tri çështje ishin në fokus të analizës: Siguria Rrugore, ndërtimi i infrastrukturës sipas standardeve të reja dhe projekti i mirëmbajtjes me Bankën Botërore rreth 125 milionë dollarë. Rruga e Kombit do të mirëmbahet nga një kompani private dhe kontrata do bëhet e njohur brenda 2-3 javëve, deklaroi dje, ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në analizën vjetore të Autoritetit Rrugor. Sipas tij, ky model do të aplikohet edhe në rrugë të tjera të vendit.

 


 Sipas ministrit Haxhinasto, do të jetë një kompani kineze që do të kryejë punimet e kësaj vepre publike. “Besoj se brenda muajit prill do miratojmë ligjin përkatës për akordimin e kontratës së Rrugës së Arbrit kompanisë kineze e cila paraqiti ofertën”, tha ministri.  Sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve, Haxhinasto tha se, “Kjo është hallkë themelore për të garantuar efikasitetin, shpenzimin e duhur të parave publike dhe taksave të qytetarëve, për të pasur investime të qëndrueshme në rrugë dhe t’i ofrojmë biznesit dhe qytetarëve cilësi të lartë”, tha ai.


Projekti për mirëmbajtjen e rrugëve në bashkëpunim me Bankën Botërore që pritet të finalizohet gjatë këtij viti do të mundësojë riformatimin e sistemit të mirëmbajtjes. Riorganizimi institucional i ARSSH u njoh si domosdoshmëri, që do të sillte efektet e pritura për këtë çështje. Ministri Haxhinasto bëri me dije se paralelisht me projektin e mirëmbajtjes së rrugëve, po punohet nga ekipi i Ministrisë për vendosjen e kategorisë së re të kompanive që do të  kontraktohen për mirëmbajtjen. “Situata si ato të fundvitit të kaluar nuk duhet të përsëriten, ku kompanitë që kishin përgjegjësi të mirëmbanin akse të rëndësishme të vendit nuk arritën ta bënin këtë. Qëllimi ynë nuk është penalizimi, por çdo kontratë ka detyrim zbatueshmërinë e saj”, tha ai.


Ministri vlerësoi arritjen për finalizimin e manualit të ndërtimit brenda këtij viti. “Miratimi i standardeve të ndërtimit të rrugëve është në fazën përfundimtare, tashmë mbas 24 vjetësh do të kemi referenca për çdo vepër rrugore që ndërtohet në Shqipëri, për të sjellë unifikim të veprave të reja, ky manual do të jetë Kushtetuta e ndërtimit të rrugëve”, deklaroi Haxhinasto.


Më të lexuarat